Lajme

Kundërvënia dhe gjuha e përdorur e Osmanit ndaj BE-së nuk e ndihmojnë Kosovën


Ilustrim

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, s’është pajtuar me rekomandimet e raportit të Komisionit Evropian lidhur me çështjen e procesit të vettingut. Kundërvënia e saj ndaj BE-së, nuk e ndihmon fare Kosovën.

Kështu është parë nga prizmi i analistit Visar Ymeri, si dhe nga menaxheri i projekteve në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Yll Zekaj.

Ymeri, ish-kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, në një prononcim për Albanian Post ka thënë se raporti për vendin nga KE dhe ai për mbarëvajtjen e zgjedhjeve nga vëzhguesit evropian, për të cilat diskutoi presidentja, i vë në pah “ngecjet e problemet me proceset e shtet ndërtimit dhe të reformave të nevojshme për Kosovën”.

“Gjuha e përdorur dhe dimensioni absolut i kundërshtimit ndaj çështjeve që janë ngritur në raporte nuk i ndihmojnë fare Kosovës. Vërejtjet aty nuk i drejtohen kundër dikujt por kërkojnë vëmendje të shtuar në ato pika ku konsiderohet që ka ngecje dhe ato projekte ku konsiderohet që mund të ketë probleme”, ka thënë Ymeri.

Siç thotë Ymeri, sjellja e presidentes ishte e ndikuar “kryekëput” nga interesat e politikës ditore dhe të interesave të saja personale, (të ndërlidhura me rastin e shkarkimit të ish-kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka).

“Në vend se të mbrohet interesi i Kosovës duke i marrë parasysh vërejtjet dhe duke kërkuar nga institucionet që t’i marrin ato me seriozitet, presidentja tregoi një shpërfillje arrogante ndaj cilitdo indikacion të ngritur në këto raporte”.

Visar Ymeri – Analist

“Ka shumë rëndësi çka po mbron, dhe pastaj po ashtu si po e mbron. Dhe në këto dy pika presidentja ka lënë shije të keqe”, shtoi ai.

Në anën tjetër, Yll Zekaj nga IKD, për Albanian Post ka thënë se një qëndrim i tillë i presidentes së vendit sidomos për çështjen e procesit të Vettingut, tregon se “Kosova nuk është e gatshme të marrë përsipër zbatimin e zotimeve të dhëna në këtë nivel”.

Kur presidentja e një vendi bën deklarata të tilla, dërgon mesazh që Kosova nuk është e gatshme të marrë përsipër angazhime tjera në kuadër të procesit të integrimeve që kanë ndikim në rrugëtimin e Kosovës në procesin e integrimeve – nuk e ofrojnë Kosovën me BE”, është shprehur Zekaj.

Sipas tij, këto deklarata mund të kenë ndikim edhe në përkrahjen që fiton Kosova në kuadër të programeve të ndryshme me theks në IPA programet.

“Kjo mund të ndikojë në mundësinë që Kosova të jetë kompetitive në thithjen e mjeteve financiare nga ana e BE-së kur dihet që në ciklin e ardhshëm vendet e rajonit do të konkurrojnë për ndarjet e mjeteve me angazhimet e tyre në procesin e integrimeve”, shtoi ai.

Po ashtu, Zekaj ka theksuar se Kosova mund të ketë mospajtime me BE-në, por të gjitha mospajtimet eventuale duhet të diskutohen në mënyrë konstruktive përmes fakteve dhe dialogut.

“Mospajtimet eventuale me BE-në nuk duhet të adresohen përmes konferencave për media, as atëherë kur këto mospajtime kanë të bëjnë me gjetjet dhe vlerësimet e BE-së për Kosovën duke përfshirë edhe gjetjet e përvjetshme nga Raporti i Progresit”.

Menaxher i projekteve në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Yll Zekaj.

Ai thotë se Raporti për Kosovën është matës i gjendjes faktike në fushat që mbulohen nga MSA dhe vlerëson zbatimin e politikave të planifikuara të Qeverisë që ndërlidhën me Agjendën Evropiane dhe më gjerë.

Prandaj, sipas Zekajt, zbatimi i këtyre politikave përkitazi me MSA “është indikator i përafrimit të Kosovës me BE dhe rrjedhimisht i procesit të integrimit”.

“Sa më pozitiv raporti për vendin, aq më shumë përafrim ka Kosova me BE, pasi që zbatohen një set i politikave më të lehta dhe kalohet në nivele më të fokusuara”.

Qëndrimet e Presidentes Osmani për Raportin e Komisionit Evropian

Osmani në një konferencë për media ka thënë se pavarësisht se në raport thuhet që vettingu duhet të jetë masë e fundit që merret në Kosovë, si presidente inkurajon institucionet që ta vazhdojnë këtë proces.

“Komisioni Evropian konsideron se vettingu do duhej të ishte masë e fundit dhe e jashtëzakonshme pasi të jenë shteruar të gjithë mekanizmat, edhe ky konstatim është i gabuar sepse mekanizmat ekzistues janë këta për vite të tërë dhe kanë rezultuar joefektiv”, ka deklaruar presidentja Osmani.

“Si presidente e vendit jo vetëm që kërkoj që ky proces të vazhdojë e mos të ndalet por edhe të përshpejtohet si një domosdoshmëri”, tha ajo.

Osmani: Misioni i Vëzhgimit të zgjedhjeve të BE-së në Kosovë s’ka kompetencë të flasë për shkarkimin e Dakës

E para e Kosovës, ka folur edhe për kritikat e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE-së në Kosovë, për shkarkimin e ish-kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Dakës.

“E kundërshtoj konstatimin e njërit nga fusnotat përmes së cilës tentohet t’i jepet konotacion plotësisht politik ndërprerja e mandatit në muajin qershor të ish-kryesueses së KQZ-së”.

Ajo ka potencuar se Misioni i Vëzhgimit të zgjedhjeve të BE-së në Kosovë, nuk ka kompetencë të flasë për këtë çështje.

“Legjislacioni në fuqi parasheh se presidentja është autoriteti kompetent për të emëruar kryesuesen e KQZ-së, sikurse është edhe për ndërprerje të mandatit të saj’, ka shtuar ajo.

“Problemi i parë qëndron që ndërprerja e këtij mandati nuk ka të bëjë me procesin zgjedhor të 17 tetorit, edhe vëzhgimi i një veprimi të tillë që është bërë para se të shpallen zgjedhjet e tetorit, është tërësisht jashtë mandatit të këtij ekipi teknik. Ka pasur përmirësim të dukshëm në punën e KQZ-së”.

Raporti i Progresit nga KE për Kosovën: Drejtësia e ngadalshme, jo-efikase, e ndikuar nga politika

Në Raport të KE-së thuhet se gjatë kohë së hartimit të raportit, Kosova është ende në fazat fillestare të luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar, dhe qëndron dobët sa i përket përgatitjes së një sistemi të Vettingut.

“Kosova është ende në një fazë të hershme në zhvillimin e një sistemi gjyqësor funksional. Administrimi i përgjithshëm i drejtësisë vazhdon të jetë i ngadalshëm, jo-efikas, dhe i prekshëm nga ndikimet politike. Pak progres është bërë gjatë periudhës së hartimit të raportit”, shkruan në raportin e KE-së.

“Qeveria e Kosovës ka qenë duke konsideruar disa opsione për një sistem vetting-u në drejtësi dhe prokurori. Në këtë kontekst, prezantimi i një ri-vlerësimi të plotë të një-hershëm të të gjithë prokurorëve zgjon shqetësime serioze. Një proces i tillë duhet të konsiderohet vetëm si masë e veçantë kur s’ka zgjidhje tjetër”.

Ndërsa për luftën kundër korrupsionit, në raport shkruan se vetëm një progres i pakët e i kufizuar ka ndodhur gjatë kohës së hartimit të raportit.

Korrupsioni është i shpërndarë anembanë, shkruan raporti, dhe se mbetet ende shkak për shqetësime serioze.

“Pavarësisht disa përpjekjeve të bëra ende ka nevojë për vullnet të fuqishëm politik për të adresuar efektivisht rreziqet e korrupsionit sistematik, si dhe një përgjigje të fortë ndaj korrupsionit në nivelin e lartë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore