Lajme

Kundërshtohet vendimi i pushtetit për të mbyllur Klan Kosovën – Krejt çka ndodhi dje


Klan Kosova.

Ambasadorë të vendeve më të fuqishme të botës në Kosovë, organizata ndërkombëtare për të drejtat e gazetarëve, partitë opozitare, shoqëria civile, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ishin njëzëri në dënimin e vendimit të Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, i cili refuzoi ankesën e televizionit “Klan Kosova” për rikthimin e licencës së operimit.

“Terror si në Rusi dhe Bjellorusi”, “të shqetësuar jashtë mase”, “përpjekje për të cenuar pluralizmin mediatik”, “vendimi më i rëndë në historinë e Kosovës së pasluftës”, “diktatura s’kalon”, “një Qeveri që i mbyllë mediat do errësirë dhe nënshtrim”.

Këto ishin vetëm disa nga epitetet që u thanë pas këtij vendimi tejet problematik të ARBK-së.

Si rrodhi ngjarja?

Në orët e pasdites të së premtes Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, njoftoi se kishte refuzuar ankesën e televizionit “Klan Kosova” për rikthimin e licencës së operimit.

Sipas njoftimit të MINT “ARBK-ja, në shkallën e parë, ka vendosur në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës sh.p.k”.

Arsyetimi i ARBK-së për pezullimin e certifikatës ka qenë se, në dokumentet e regjistrimit të kompanisë pronare të biznesit në fjalë, “KGO Media Invest DOOEL”, komunat e Republikës së Kosovës paraqiten si qytete të Serbisë, gjë që përbën shkelje të Kushtetutës.

“Vetë fakti që përfaqësuesit e Klan Kosovës sh.p.k., pas kaq shumë vitesh, kanë nisur hapa për korrigjim, vërteton se biznesi në fjalë e kishte kryer shkeljen e konstatuar nga ARBK-ja dhe se vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit ishte marrë me të drejtë”, thuhej ndër të tjera në njoftim.

Ndërsa, u bë me dije se ministria pas këtij vendimi ka dorëzuar kallëzim penal kundër Klan Kosova sh.p.k. dhe pronarëve të saj.

“Me këtë çështje tashmë po merren organet e rendit të Republikës së Kosovës”, potencohej në njoftimin e ministrisë.

Pas këtij vendimi, “pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente”.

Kundërshtimi i QUINT-it

Ambasadat e Francës, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe zyra e Bashkimit Evropian në Kosovës, të njohura ndryshe si vendet e QUINT-it, kundërshtuan vendimin që Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, mori për të refuzuar ankesën e televizionit “Klan Kosova” për rikthimin e licencës së operimit.

Përmes një komunikate zyrtare, vendet e QUINT-it thanë se shprehin shqetësimin e tyre “të thellë për vendimin e sotëm të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që konfirmon pezullimin e licencës së biznesit të Klan Kosovës”.

“Jemi veçanërisht të shqetësuar se heqja e licencës së biznesit të Klan Kosovës është një vendim joproporcional që do të ketë pasoja në pluralizmin mediatik në Kosovë”, pohuan ata, duke shtuar se “revokimi i licencës së çdo medie është një hap domethënës që kërkon shqyrtim rigoroz”.

Ndërkaq, nga QUINT-i u theksua se “liria e shprehjes dhe informimit janë tipare thelbësore të shoqërive demokratike”.

“Presim një proces ligjor të drejtë dhe transparent për zgjidhjen e situatës”, përfunduan reagimin e tyre.

Reagimet e organizatave ndërkombëtare dhe vendore të mediave

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Ricardo Gutierrez, i cili ndjek prej kohësh nga afër situatën e lirisë së medias në Ballkan, u shpreh i tronditur në një prononcim për Albanian Post, “nga mënyra se si ministria refuzoi kërkesën e Klan Kosovës”.

Për kreun e organizatës evropiane, ky është tregues i një “qeverie të pamëshirshme” dhe është “qartësisht një paralajmërim për mediat e tjera të pavarura”.

“Mesazhi është shumë i qartë: qëllimi është të frikësohen të gjitha mediat duke u treguar atyre se qeveria ka fuqinë të mbyllë televizionin kryesor privat të vendit brenda pak javësh. Është një strategji terrori e ngjashme me atë që vërejmë në Rusi dhe Bjellorusi”, theksoi fillimisht për Albanian Post sekretari i EFJ-së.

“Kjo është me të vërtetë një ditë e zezë për të gjithë demokratët dhe për të gjithë ata që si unë shpresonin në integrimin evropian të Kosovës. Praktikat antidemokratike të klanit të VV-së do t’u japin argumente atyre që nuk e duan Kosovën në Evropë. Më vjen keq për popullin e Kosovës, i cili nuk e meritoi këtë”, shtoi Gutierrez në komentin e tij për AP-në.

Sipas tij, ky vendim është i motivuar politikisht, pasi Lëvizja Vetëvendosje bëri gjithçka që kishte në dorë për të siguruar mbylljen e një medie që po turbullonte interesat e tyre.

Foto Albanian Post: Ricardo Gutierrez dhe Albin Kurti

Reagimi nuk mungoi as nga Qendra Evropiane për Lirinë e Medias dhe Shtypit.

Përmes një postimi në Twtitter, nga ECPMF thanë se “jemi të tmerruar kur mësojmë se Ministria e Tregtisë në Kosovë ka përfunduar sot të gjithë hapat e nevojshëm për mbylljen e medias më të madhe private në vend Klan Kosova”.

Ngjashëm reaguan edhe nga Organizata ndërkombëtare “Reporterët pa Kufij”.

Përmes një postimi në Twitter, nga kjo organizatë thënë se “pluralizmi i informacionit kërcënohet rëndë me refuzimin e ankesës nga media më e madhe private në vend Klan Kosova!”.

“Duke mbrojtur pezullimin e certifikatës së biznesit, qeveria e Albin Kurtit po e shtyn atë drejt mbylljes”, potencuan nga RSF, duke shtuar se ky vendim “duhet të anulohet”.

Njëjtë si organizatat ndërkombëtare, edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), kundërshtoi këtë vendimi të ARBK-së.

AGK-ja përmes një komunikate të publikuar në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se janë të alarmuar me këtë vendim duke e konsideruar si politik.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është alarmuar me vendimin e Komisionit të Ankesave pranë MINT për të refuzuar ankesën e televizionit Klan Kosova, duke lënë kështu në fuqi vendimin për pezullimin e certifikatës së biznesit të këtij mediumi”.

Ndërsa nga Klan Kosova, AGK-ja ka kërkuar që ta vazhdojë betejën në gjykatë dhe shprehë besimin që gjykata nuk do të lejojë mbylljen e një mediumi në Kosovë.

“Vendimi i sotëm politik i Qeverisë Kurti është goditja më e rëndë që i bëhet lirisë së medies në Kosovë që prej kohës së luftës”.

Partitë opozitare

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në reagimin e tij tha se “mbyllja e Klan Kosovës është sulm i një pushteti autoritar ndaj fjalës së lirë”, duke shtuar se “është sulm i paranojës propagandistike ndaj vet demokracisë”.

“Ky pushtet do krizë. Ky pushtet do frikë”, shkroi Abdixhiku në Facebook.

Në këtë betejë, theksonte kreu i LDK-së, “të paprecedentë, nuk është vetëm një televizion”, sipas tij “janë të gjitha mediat, gazetarët e promovuesit e fjalës së lirë”.

“Jemi të gjithë, individualisht e kolektivisht. Prandaj dhe në këtë përballje do të jemi bashkë të gjithë”, pohoi ai, dhe shtoi se “fjala e lirë do të triumfojë”.

“Urdhërat e PolitByrosë nuk e mundin dot demokracinë kosovare. Shoqëria kosovare ka triumfuar dhe në përballje më të rënda. Do ta kapërcejë dhe këtë”.

Lumir Abdixhiku

Reagim të ashpër dhe kundërshtues pati edhe nga Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Krasniqi u shpreh se vendimi i Qeverisë së Kosovës për ta mbyllur mediumin në fjalë, është “i papranueshëm, i rrezikshëm dhe i paligjshëm”, e po ashtu kundër secilës vlerë demokratike.

“Kjo Qeveri e ka humbur rrugën! Nga panika, çdo ditë e më shumë po zhytet në llumin e vendimeve ta padinjitetshme dhe me tendenca diktatoriale. Prandaj, sot, jemi të gjithë të bashkuar kundër këtij vendimi autoritar dhe në mbrojtje të lirisë së shprehjes dhe medias së lirë. Mos e mbyllni Klan Kosovën. Diktatura nuk kalon”, tha Krasniqi.

Memli Krasniqi

Ngjashëm me Krasniqin dhe Abdixhikun në reagimin e tij ishte edhe lideri tjetër i opozitës, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Për këtë cështje, Haradinaj iu drejtua drejtpërdrejtë kryeministrit të Kosovës, duke i thënë se “nuk mbulohet dielli me shoshë o Albin Kurti”.

Ai ia bëri të ditur se mediumet nuk mund të mbyllen në një vend evropian.

“Nuk mbyllen mediat në një vend evropian! Nuk jemi Kore e Veriut! Prandaj hiq dorë nga ky vendim i çmendur e lëre Klan Kosovën ta kryejë punën e vet! Dil kërkoju falje popullit e gazetarëve të Klan Kosovës e ruaje pak fytyrë!”, shkroi Haradinaj në rrjetin social ‘Facebook’.

Ramush Haradinaj

Presidentja Osmani

Reagim pati edhe nga e para e vendit, Vjosa Osmani, e cila nuk ishte e qartë se a kundërshton apo jo këtë vendim.

“Çdo dilemë ligjore rreth rastit të licencës së mediumit Klan Kosova, duhet të sqarohet deri në fund nga instancat përkatëse të sistemit të drejtësisë të Republikës së Kosovës”, ka thënë Osmani.

Ndërkaq, në komunikatën e lëshuar nga presidenca potencohet se e para e vendit pret që kjo të bëhet “duke zbatuar ligjin, pa ndërhyrje, bazuar në parimet e paanshmërisë dhe integritetit”.

“Liria e mediave nuk është privilegj, por një e drejtë themelore që mbështet funksionimin e një shoqërie demokratike. Është detyrë e secilit në shoqërinë tonë që ta vlerësojmë lirinë e mediave, ta mbrojmë atë dhe të krijojmë kushte për të, në përputhje me kornizat e përcaktuara me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës sonë”, theksoi ndër të tjera Osmani.

Vjosa Osmani

Përpjekja e pushtetit për ta arsyetuar vendimin

Reagimet e shumta që pasuan e detyruan Ministren e Industrisë, Ndërrmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, që ta thotë edhe fjalën e saj, përmes të cilës tentoi që ta arsyetojë vendimin që u morr nga dikasteri që ajo e udhëheqë.

Përmes një postim në Facebook, Hajdari tha se “për sa i përket vendimmarrjes në kuadër të MINT, procedimi i rastit Klan Kosova sh.p.k. ka përfunduar”.

“Çdo biznes me veprimtari në Republikën e Kosovës, e ka për obligim që të respektojë Kushtetutën dhe ligjet e vendit tonë”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, ministrja potencoi se dikasteri që ajo e drejton “është e vendosur për të mbrojtur rendin dhe ligjin në çdo rast brenda fushëveprimit të saj, pa përjashtim e pa diskriminim”.

“Fakti që një biznes sh.p.k., mes shumë veprimtarive të tjera, merret edhe me media, nuk e amniston aspak prej llogaridhënies për shkeljet ligjore që i kryen, sado i fuqishëm që të jetë ekonomikisht apo politikisht”, pohon ajo.

Tutje, Hajdari i bëri thirrje Policisë së Kosovës dhe prokurorëve kompetentë, “që të ndërmarrin hapat e nevojshëm ligjorë për të hetuar, deri në fund, shkeljet ligjore të kryera nga ana e këtij biznesi, si dhe nga ana e disa zyrtarëve të ARBK, për të cilat shkelje ligjore kjo Ministri ka parashtruar kallëzim penal para disa javësh”.

Rozeta Hajdari

Çka ndodhi me Klan Kosovën?

Më 14 qershor, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes një komunikate për media kishte marrë vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare televizionit Klan Kosova.

“Raportimet e mediave gjatë këtyre ditëve rreth kësaj çështjeje, kanë nxjerrë në pah dyshime të bazuara për keqpërdorim të mundshëm të pozitës zyrtare të punonjësve në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Si rrjedhojë, MINT ka bërë të gjitha angazhimet e nevojshme dhe menjëherë ka ndërmarr masat e qartësimit të brendshëm të gjendjes”, thuhej në njoftim.

Sipas MINT, në bazë të dhënave të shpërfaqura nga i gjithë procesi i regjistrimit e më pas transaksioneve tjera të shitblerjes së Shoqërisë Tregtare ‘KLAN KOSOVA’ SHPK, rezultojnë dyshime serioze të keqpërdorimit të detyrës zyrtare nga zyrtarë të ARBK-së, por edhe dyshime për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike nga persona përgjegjës të kompanisë.

Komisioni i Pavarur për Media (KPM), pas një takimi që ka mbajtur më 16 qershor, i kishte dhënë afat prej 30 ditësh televizionit Klan Kosova, që të plotësojë dokumentacionin e nevojshëm të biznesit në ARBK.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), kishte bërë thirrje që të lejohet kohë dhe të mos ketë presione për plotësimin e dokumentacionit të kërkuar, në pritje të vendimit nga ana e Komisionit të Pavarur të Medieve.

Shtatë organizata kryesore ndërkombëtare për lirinë e mediave dhe grupet e gazetarëve kishin bërë thirrje që certifikata e përditësuar e biznesit të Klan Kosovës të pranohet nga komisioni i ankesave.

Po ashtu, kishin kërkuar që të ndërpriten menjëherë të gjitha përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për t’i bërë presion medias.

Televizioni kombëtar privat, Klan Kosova, ka nisur transmetimin më 17 shkurt të vitit 2009.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore