Shqipëria

“Kultura” e debatit në emisionet shqiptare


Në mbi dhjetë emisione, pothuajse çdo mbrëmje, gazetarë, analistë, mjekë, politikanë apo personazhe të tjera qëndrojnë përballë njëri-tjetrit për të diskutuar rreth një teme të caktuar.

Kjo ndodh çdo javë, jo vetëm në prag zgjedhjesh, apo kur ka ngjarje të rëndësishme politike. Shumica e kanaleve televizive i “bombardojnë” teleshikuesit me emisione lajmesh apo të ashtuquajturat “talk show”, emisione ku palët debatojnë.

Sipas përkufizimit, “debat do të thotë rrahje mendimesh midis dy apo më shumë vetave për një çështje të caktuar. Debati ka si qëllim afrimin ndaj të vërtetës me argumente dhe fakte”.

Çfarë ndodh në një emision debati?

Rehatohesh në dhomën e ndenjjes dhe vendos të ndjekësh një emision televiziv, ku po debatojnë dy palë, kur papritur, dëgjon të bërtitura.

Njerëz “të kollarisur”, të cilët ulërijnë dhe bërtasin me sa zë kanë në kokë. Fytyra të skuqura nga inati, sikleti apo mungesa e ajrit, pasi të bërtiturat e shumta pengojnë edhe qarkullimin e ajrit nëpër rrugët e frymëmarrjes.

Me një mimikë të zymtë, mes dy palëve, të bie në sy moderatori, të cilit vetëm moderator nuk mund t’i thuash. Jo për faj të tij, përkundrazi, “të kollarisurit” në studio nuk i binden.

Ai përpiqet të vendosë rregull, duke përplasur duart apo duke ngritur zërin, me qëllim që zëri i tij të mbysë të bërtiturat e të kollarisurve, por më kot.

Moderatori merr pamjen tipike të “edukatores së kopshtit”, e cila mezi pret të vijë prindi të marrë fëmijët, sepse mjetet e përdorura për t’i qetësuar nuk kanë funksionuar.

Ka raste kur moderatori ua heq të drejtën e fjalës duke u fikur mikrofonat, që të paktën ne, nëpër shtëpi, të mos bezdisemi nga zhurma e krijuar në studio.

Sipas gazetarit Aleksandër Çipa, konflikti verbal në studio tregon se të ftuarit dhe vetë media është e politizuar, çka sjell përplasje pa interes të publikut.

“Rikthimi i konfliktit verbal në studiot e debatit elektoral përbën rishfaqjen e sëmundjes së politizimit të analistëve dhe komentuesve dhe vetë medias”, thotë Çipa për Albanian Post (AP).

Madje, ai e shtjellon më tepër argumentin e tij, duke e quajtur sjelljen e protagonistëve si “sindormë e partizimit dhe politikës së konfliktit që ka dominuar periudhën e postkomunizmit në vend”.

Tejkalimin e antagonizmit në analizë në patologji dhe fyerje, Çipa e konsideron si “dëshmi e mungesës së kulturës së përgjegjësisë në komunikimin publik”.

“Kjo lidhet pa dyshim me mungesën e peshës specifike të ideve dhe të valencës analitike të protagonistëve”, përmbyll mendimin gazetari.

Profesori J.Z. për Albanian Post thotë se, degradimi ndodh, sepse më shumë sesa çdo pjesë tjetër e debateve, ajo që tërheq më shumë komente janë momentet kur dikush humbet durimin dhe sulmon personin tjetër.

“Shikueshmëria që kanë momente të tilla ngarkon edhe më tepër mjedisin, pavarësisht se debati mund të këtë pasur momente më të rëndësishme për interesin e publikut”.

Sipas profesorit, karakteristika e degradimit të debatit është e të gjithëve dhe jo vetëm e shqiptarëve. Ai i shpjegon këto sjellje si zell që i kap njerëzit kur “besojnë vërtet disa ide politike” që, ndonjëherë, përfshin pa të drejtë bashkëbiseduesit.

“Gjithsesi, fokusi kryesor duhet të mbetet tek argumentet”, shprehet ai për AP-në.

Klajdi Priska, koordinator i projektit “Rinia dhe Zgjedhjet 2021”, thotë që, gjatë këtyre 30 viteve, shumë gjëra kanë ndodhur, përveçse një diskutimi konstruktiv.

“Gjatë këtyre tri dekadave kemi parë shumë, përveçse debate reale jo vetëm me mungesë të rregullave, por dhe të një rezultati që është i vlefshëm për publikun shqiptar”.

Sipas tij, kjo situatë ndodh sepse nuk kemi shembuj konkret të debateve korrekte.

“Kjo ndodh për shumë arsye, duke përfshirë mungesën e edukimit politik, mungesën e debatimit në shkolla, ballafaqimit të ideve, mungesës së shembujve, ku debatet korrekte kanë pasur sukses në vend”.

Gjithashtu, shton Priska, në vend nuk promovohet “mendimi kritik dhe e drejta e të shprehurit të këtij mendimi sado qoftë ndryshe me qëndrimet e një grupi të caktuar interesi”.

Debati i lirë dhe shkëmbimi i mendimeve të ndryshme është tregues i një demokracie të mirëfilltë. Në momentin kur debati degradon në sulme fyese, humbet thelbi i idesë, për të cilën publiku ishte i interesuar paraprakisht për ta ndjekur atë, përfundon profesori J.Z.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore