Sport

Kualifikueset, Hysaj: Ndaj San Marinos jemi ekip i favorizuar


Kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Elseid Hysaj, ka qenë i pranishëm në konferencën para ndeshjes që skuadra kuqezi do të luajë përballë San Marinos të mërkurën.

Hysaj vlerësoi forcën e grupit dhe vlerën e lojtarëve që ka në përbërje Shqipëria, që sipas tij është hera e parë që në kombëtare ka kaq shumë futbollistë të nivelit evropian.

“Vetëbesimin e kemi që më parë, por po e forcojmë  akoma edhe më shumë, sepse vërtetë jemi një skuadër shumë e fortë dhe besoj se Shqipëria nuk ka pasur kurrë më parë kaq shumë futbollistë në nivelin europian dhe që aktivizohen në skuadrat që luajnë tani”, tha lojtari i Lazio-s.

“Kështu që duhet të kemi besim në vetvete sepse jemi vërtetë një skuadër shumë e fortë që duhet thjesht të shkojë në fushë me vetëbesimin që mund të bëjmë më mirë, siç e pamë edhe në ndeshjen ndaj Hungarisë, sepse me të vërtetë luajmë mirë dhe kishim raste për të shënuar gola”.

“Për të ardhmen kjo na duhet, besimi në vetvete që jemi një skuadër e fortë dhe mund të luajmë me të gjitha ekipet”.

Kapiteni është pyetur edhe në lidhje me skuadrën që e shikon si kundërshtarin direkt për kualifikimin në Kupën e Botës, nëse kjo skuadër është Hungaria apo Polonia.

“Të dyja këto skuadra janë në nivele të mira, por thjesht Polonia, siç e dimë të gjithë ka Levandovskin, një lojtar me emër në të gjithë botën që bën diferencën në fushë”, shtoi shkodrani.

“Kurse Hungaria është një ekip që punon si ne, një ekip i mbledhur që përpiqet të bëjë mirë. Me të dyja ekipet do kemi konkurencë deri në fund të kompeticionit për vendin e dytë”.

Hysaj foli gjithashtu për fitoren me Hungarinë, grupin dhe ndeshjet e kthimit që do të ketë Shqipëria me Hungarinë dhe Poloninë.

“Sigurisht është ndjesi shumë e mirë sepse edhe kur je jashtë, duke e parë nga stadiumi, është akoma më e keqe ndjesia”, vijoi Hysaj.

“Kur shikon skuadrën që po luan, dhe ti nuk mundesh t’i japësh një dorë. Duhej kjo fitore sepse karikon sa më shumë  skuadrën për të ecur sa më përpara, sepse kemi mundësi të kualifikohemi, kemi mundësi deri në fund të këtyre ndeshjeve të shkojmë në Katar, kështu që pse jo, mos të jemi të karikuar 100% për ndeshjet e radhës”.

“Kemi mundësi të marrim pikë ndaj Polonisë dhe Hungarisë. Ndaj San Marinos, ne jemi një ekip i favorizuar dhe 3 pikëshi duhet të jetë i yni”.

“Kurse ndeshjet ndaj Polonisë dhe Hungarisë, mezi i presim, sepse në Poloni na ka mbetur pak inati, sepse ndeshjen e bëmë ne. Të gjitha statistikat ishin në favorin tonë”.

“Kemi edhe në mesfushë edhe në sulm, pasi siç e pamë edhe në ndeshjen ndaj Hungarisë, mesfusha dha maksimumin dhe ishin të rëndësishme lëvizjet që bënin në fushë”.

“E rëndësishme është të kemi edhe sulmuesit që të shënojnë, dhe këtë po e bëjnë. Cikalleshi shënoi në Poloni, Broja sapo hyri, i dha një dorë skuadrës dhe me të vërtetë ndërrimet janë të rëndësishme në këtë kompeticion”.

“Një minutë lojë mund të ndryshojë të gjithë ndeshjen, siç ndodhi edhe në ndeshjen ndaj Hungarisë. Besoj se me kohën do kemi edhe më shumë vlera në mesfushë dhe sulm”, përfundoi kapiteni kuqezi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore