Lajme

Kryetari i Preshevës për Albanian Post: S’takohem me Bislimin e Nagavcin, e kanë injoruar Preshevën qëllimisht


Besnik Bislimi, Arbërie Nagavci dhe Shqipërim Arifi.

Kryetari i Preshevës, Shqipërim Arifi, nuk do të takohet me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe ministren e Arsimit Arbërie Nagavci, të cilët janë duke vizituar Luginën e Preshevës.

Arifi këtë e ka bërë të ditur në një përgjigje me shkrim për Albanian Post.

“Jo nuk do te takohem me ta. Kjo për arsyeje si shenjë proteste që kanë anashkaluar komunën e Preshevës. Agjendën e kamë parë online, por në këtë takim (me krerët politikë) nuk do të marrë pjesë”, ka thënë ai për Albanian Post.

Sipas tij, injorimi ndaj kësaj komune është tepruar nga Qeveria e Kosovës.

“Siç e thash injorimin që ja kanë bërë Preshevës është i tepërt dhe politik nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilës ne nuk do t’i nënshtrohem”.

Mllefi i Arifit, ndaj Qeverisë Kurti është shfaqur prej kohësh kur një zotim i ekzekutivit të Kosovës për Preshevën për ndarjen e dy milionë eurove nga buxheti i Kosovës nuk është realizuar asnjëherë deri më tani.

Kryetari i Preshevës, Shqipërim Arifi dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Një “reciprocitet” vizitash po ndodhë këtë të hënë, kur kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç do ta vizitojë Kosovën dhe Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i Kosovës dhe Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, shkojnë në Luginë të Preshevës.

Bislimi e Nagavci kanë filluar ditën herët me takim me anëtarët e Këshillit Kombëtar Shqiptar në 10:30, për të vazhduar në një takim me Shaip Kamberin, deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë.

Më vonë, është rezervuar një takim me krerët e Komunës së Bujanocit dhe më pas vizitohet Shkolla Fillore “Muharrem Kadriu” në Tërnoc.

Më pas ka vizitë në një tjetër shkollë dhe më vonë drekë Pune me liderët politikë të Preshevës.

Krejt në fund është rezervuar një takim me “Shoqata, Biznese dhe Personalitete të Shquara”.

Në agjendë nuk është specifikuar nëse do të ketë takim me kryetarin e Preshevës, Shqipërim Arifin, i cili ka qenë kritik për qeverinë e Kurtit dhe ka treguar se si një ndihmë e premtuar nga qeveria e Kosovës, nuk arriti kurr në kontot e komunës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore