Lajme

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Preshevë garanton se asnjë shqiptar nuk do të votojë në Referendumin serb


Ragmi Mustafa

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Preshevë, Ragmi Mustafa, ka kërkuar që të bojkotohet referendumi i Serbisë nga shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

“Ne kemi dalë me deklaratë dhe kemi ftuar qytetarët që të mos dalin, por edhe pa i ftuar, ju garantoj se asnjë shqiptarë nuk do të kishte dalë”, ka thënë Mustafa, në një intervistë për Klan Kosovën.

Sipas tij ky referendum ka qëllim rritjen e censurës në gjyqësorin e Serbisë, dhe se një gjë e tillë nuk e përmirëson aspak situatën ekonomike e politike të shqiptarëve në Serbi.

“Serbia para bashkësisë ndërkombëtare luan rolin e viktimës dhe më këtë autoritetet në Beograd rrahin gjoksin se ne jemi prezentë në Kosovë”.

Për Mustafën moslejimi i referendumit në Kosovë nga ana e krerëve insititucional është një hap i duhur.

“Është qëndrim i duhur dhe njëkohësisht i rëndë për shkak të një invazioni që kanë marrë ambasadorët e shtetit të QUINT-it, por një gjë duhet kujtuar se ata janë ambasadorë, asnjë shtet i tyre, apo qeveritë, nuk janë mbledhur për të thënë se referendumi duhet të mbahet në Kosovë. Por serbët dinë të qahen para tyre”, ka theksuar ai.

Referendumi që pritet të mbahet në Serbi ka të bëjë me ndryshimet kushtetuese atje. Qeveria deklaroi para disa ditësh që nuk do të lejohet mbajtja e këtij Referendumi edhe në territorin e Kosovës.

Në anën tjetër, shtetet e QUINT-it, SHBA-të, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe Bashkimi Evropian, kanë kërkuar nga qeveria që të mos ndalohet votuesi serb i Kosovës të votojë në referendum.

Mospajtimi ka bërë që të organizohet një takim urgjent mes Albin Kurtit, Vjosa Osmanit e Glauk Konjufcës me ambasadorët e QUINT-it në Kosovë.

Pas takimit, kryeministri Albin Kurti është deklaruar shkurtazi për media, duke treguar se po thërret një seancë të jashtëzakonshme për të shtunën, me 15 janar.

Më pas presidentja Vjosa Osmani përmes një deklaratë të përbashkët për media kështu duke përfaqësuar edhe opinionin e kryeministrin dhe kryeparlamentarin, ka theksuar se nuk e kanë ndërmend të zmbrapsen nga vendimi për mos-lejimin e referendumit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore