Lajme

Kryeministri i Etiopisë, para zgjedhjeve: Më mirë vdes, sesa largohem nga posti


Kryeministri i Etiopisë, Abiy Ahmed, gjatë fushatës zgjedhore në Rajonin Oromia, më 16 qershor

Një regjistrim audio i kryeministrit të Etiopisë, Abiy Ahmed, ku ai dëgjohet duke thënë se “më mirë vdes sesa largohem nga posti”, ka qarkulluar në mediat sociale.

I menjëhershëm ka qenë reagimi nga zyra e Abiy-it. Në ​​një deklaratë e cilësuan audio-n të rreme dhe se ishte “bashkuar duke u mbështetur në vërejtje të ndryshme të palidhura të bëra nga kryeministri”.

E gjitha dyshohet se ka rrjedhur nga një takim i nivelit të lartë të partisë në pushtet.

Regjistrimi u postua fillimisht nga “Kello Media”, një shërbim i lajmeve në internet me seli në Shtetet e Bashkuara, duke pretenduar se ishte autentik.

Nga ana tjetër shërbimi “Amharic i BBC-së” ka analizuar audio-n. Ajo ka identifikuar kërcime të dallueshme, si dhe variacione në vëllim dhe në cilësinë e audio-s, duke sugjeruar fuqimisht se ishte manipuluar.

Analiza e saj doli në përfundim se tri seksione të veçanta të audio-s u gjetën në regjistrimet e mëparshme publike të Abiy-it.

Në vijim të këtyre dezinformimeve media sociale Facebook i mbylli llogaritë që shpërndanin “përmbajtje dhe pretendime mashtruese”.

Aksesi në mediat sociale në Etiopi është relativisht i ulët krahasuar me një vend tjetër në kontinent. Por përdorimi i tij po rritet me shpejtësi, veçanërisht rreth ngjarjeve të tilla si zgjedhjet kombëtare.

Etiopia po përgatitet për zgjedhjet parlamentare të hënën.

A janë fryrë numrat e regjistrimit të votuesve?

Në një vend të përbërë nga shumë rajone që konkurrojnë për ndikim politik, numri i votuesve të regjistruar në secilën zonë është një çështje mjaft e ngarkuar.

Një seri postimesh janë shpërndarë në pyetje të shifrave zyrtare të regjistrimit të lëshuara nga Bordi Kombëtar Zgjedhor i Etiopisë (BKZE).

Ndërsa nuk mund të konfirmojmë nëse shifrat e dhëna nga BKZE-ja pasqyrojnë saktësisht numrin e popullsisë që ka të drejtë vote (regjistrimi i fundit u krye në Etiopi në vitin 2007). Postimet për manipulim që u shpërndanë nuk japin prova për të mbështetur pretendimet e tyre.

Një postim nga një fushatë opozitare e vendosur jashtë Etiopisë pretendon se “çdo aspekt i këtyre zgjedhjeve është i korruptuar”. Edhe kjo akuzë nuk ka prova.

Të dhënat që i referohen këtij postimi ishin një sërë shifrash paraprake të lëshuara në fillim të majit. Më pas, ato u rishikuan pasi komisioni arriti në përfundimin se kishte pasur parregullsi në regjistrim në disa zona.

Një regjistrim ishte planifikuar në vitin 2017 por u shty disa herë. Së pari për shkak të shqetësimeve të sigurisë dhe së fundmi për shkak të pandemisë Covid-19.

A bëri fushata kryeministri në një automjet të KB?

Marrëdhënia midis Kombeve të Bashkuara dhe qeverisë etiopiane është një marrëdhënie veçanërisht e ndjeshme.

Disa grupe opozitare kanë vënë në pikëpyetje asnjanësinë e OKB-së lidhur me konfliktin në rajonin Tigray. Si dhe kanë akuzuar organin ndërkombëtar për dështimin në njohjen e duhur të abuzimeve të të drejtave të njeriut atje.

Kur një fotografi u postua në mediat sociale e Kryeministrit që me sa duket bënte fushatë në një automjet në pronësi të OKB-së, u shpërnda gjerësisht. Imazhi u mor gjatë fushatës nga Abiy në rajonin e Oromia-s.

Megjithëse pamjet duken origjinale, nuk dihet nëse makina u sigurua nga Kombet e Bashkuara ose pse mbante targa të OKB-së.

Çuditërisht, ka një foto të postuar nga fotografi zyrtar i Kryeministrit më vonë po atë ditë të automjetit identik, por tani me targën e hequr.

Një zëdhënës i OKB-së i tha “BBC-së” se “është një praktikë e zakonshme në Etiopi që OKB-ja të dhurojë makina për ministrat e qeverisë në nivelet federale dhe rajonale”.

Ai vazhdoi duke thënë se ndonjëherë këto automjete mbajnë targa të OKB-së për arsye taksash, edhe nëse nuk ishin më pjesë e një programi të OKB-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore