Lajme

Kryeministri hungarez Viktor Orban arrin në Banja Llukë


Kryeministri hungarez, Viktor Orban.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, si dhe bashkëpunëtorët e tij, më 6 nëntor kanë arritur në qytetin Banja Llukë të Bosnje-Hercegovinës.

Sipas njoftimit, Orban po qëndron për një “vizitë miqësore në Republikën Serbe”, (njëra nga dy entitetet e Bosnje-Hercegovinës).

Gjatë kësaj vizite, Orban do të takohet me anëtarin e Presidencës trepalëshe të Bosnjës, Millorad Dodik si dhe me kryetarin e Qeverisë së Republikës Serbe, Radovan Vishkoviç.

Në delegacionin e Hungarisë është duke marrë pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme, Peter Sijarto.

Dodik kishte deklaruar për Radio-Televizionin RS se Orban, që në disa nga takimet e mëparshme, ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar Republikën Serbe.

“Për shembull, një numër i konsiderueshëm i disa stimujve të sipërmarrësve të vegjël dhe të mesëm hungarezë mund të transferohen në Republikën Serbe dhe se njerëzit nga Republika Serbe mund t’i përdorin ato fonde sipas procedurës për të cilën do të pajtohemi”, ka thënë Dodik.

Milorad Dodik, anëtari serb i presidencës trepalëshe të Bosnjës.

Ndërkaq, nga kabineti i Dodikut është bërë e ditur që nuk janë paraparë deklarata për media.

Dodik ka marrë pjesë në Samitin Demografik në Budapest, në fund të shtatorit të këtij viti, në të cilin, liderët e vendeve të Evropës Qendrore nënshkruan një deklaratë të përbashkët.

Samiti Demografik për herë të parë është mbajtur në vitin 2015 në Budapest organizohet cdo dy vjet, me synimin për të luftuar migracionin, por edhe për të inkurajuar ciftet e krishtera që të kenë më shumë fëmijë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore