Lajme

Kryeministrat “dinjitozë” të Kosovës


Foto nga Albanian Post

Kritikat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ndaj Përfaqësuesit të Lartë të Politikës së Jashtme dhe politikave të Sigurisë të Bashkimit Evropian, Josep Borell, janë konsideruar nga një pjesë e përkrahësve të tij në Kosovë si një qëndrim dinjitoz ndaj një pale “të padrejtë”.

Por, kjo nuk është hera e parë që një kryeministër i Kosovës tregon “dinjitetin” ndaj ndërmjetësuesve evropianë të dialogut.

Edhe paraardhësja e Borell-it, Federica Mogherini, ishte kritikuar, madje akoma më ashpër, nga ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Haradinaj kishte deklaruar se krye-diplomatja evropiane Mogherini “e ka mbytur” dhe “çrregulluar” dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe e kërkonte atë jashtë dialogut.

Derisa tani Kurti thotë se Borell ka hequr dorë nga agjenda e Bashkimit Evropian dhe nga vetë propozimi i Bashkimit Evropian për marrëveshje finale, edhe Haradinaj, vetëm se 4 vjet më parë, në vitin 2018, pohonte se “Mogherini e ka mbytur dialogun”.

Komentet e Haradinajt vinin pasi Mogherini, e cila ndërmjetësonte dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, nuk e pati përjashtuar mundësinë e ndryshimit të kufijve, por duke theksuar se një ndryshim i mundshëm, nuk duhet të bazohet në vija etnike.

Mogherini atë botë kishte thënë se në fund të fundit u takon palëve të gjejnë zgjidhje, por “pavarësisht se për cilat adoptime do të pajtoheshin palët në të ardhmen, rezultati nuk duhet të ishte spastrimet etnike të vendeve. Në çfarë do rasti, të dyja vendet duhet të mbesin shumetnike”.

Kjo deklaratë e kishte bërë Mogherini të papranueshme për Haradinajn.

Prandaj, Haradinaj dëshironte që ajo të mos ishte fare ndërmjetëse në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Ajo realisht i ka shkaktuar dëm rajonit tonë, qoftë duke lejuar diskutimin (për ndryshim kufiri), qoftë duke guxuar që edhe në publik të deklarohet për këtë”, deklaronte.

Në një tjetër moment, Haradinaj kishte deklaruar edhe se “do të takohemi me përfaqësuesit e Serbisë në Paris, dhe më pas prapë në Uashington, prandaj Uashingtoni ka mundësi të përfshihet direkt”, duke dashur kështu largim të dialogut nga BE.

Mogherini nuk ishte evropianja e vetme që kishte kriitkuar Haradinaj. Pa disa qortime nuk kishte kaluar as komisioneri evropian, Johannes Hahn.

Hahn në një shkrim në Washington Post kishte deklaruar se ripërcaktimi i kufijve mund të jetë zgjidhje e problemeit nëse dy palët e shohin si opsion.

Haradinaj më pas kishte deklaruar se “me këta evropianë që po folin për kufij e territore vetëm çka po shkojmë mbrapa”.

Aktualisht, Haradinaj është një nga kritikët më të ashpër të Kurtit për qasjen në raport me ndërkombëtarët.

Ai e akuzon Kurtin se “arriti t’i dëmtojë marrëdhëniet e Kosovës edhe me SHBA edhe me evropianët”.

Dhe thotë se këto sjellje të Kurtit “në raport me situatën e krijuar në vend, gjatë gjithë këtyre ditëve, kanë qenë jo vetëm e pakuptueshme por edhe e rrezikshme”.

Haradinaj më vonë, qasjen e tij bllokuese duke e materializuar pastaj edhe me një tarifë 100% për mallrat serbe, e kishte përdorur si sloganin kryesor në zgjedhjet e ardhshme.

Analistë politikë në Kosovë thonë se edhe në rastin e Kurtit qasja “dinjitoze” dhe gjithçka po ndodhë në Veri duhet të shihet në këtë prizëm, si një kartë për poenë politikë dhe lëvizje elektorale.

Në ndërkohë, presidenca çeke e Bashkimit Evropian, njoftoi këtë të mërkurë se Këshilli ka hequr nga rendi i ditës çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën “për shkak të tensioneve në veri”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore