Shqipëria

Kryemadhi nga Fieri: Kryeministri po e shtyn rininë drejt emigracionit


Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, të shtunën e 20 marsit zhvilloi një takim me të rinjtë e qytetit të Fierit.

Ajo e nisi fjalimin, duke ironizuar fjalën e kryeministrit Edi Rama, i cili tha se të rinjtë dhe të rejat rrinë nëpër kafe pasi punë ka. “Të rinjtë dhe të rejat rrinë në kafe, se punë ka! Prandaj do të marrim të tjerë nga jashtë!”

“Pra, ne kemi një kryeministër, që e shtyn rininë tonë që të shkojë në emigracion”.

Kryemadhi tha se nuk është turp të punosh, por kur je inxhinier nafte dhe të shkosh të punosh kamerier, nuk mund të thuash që ka vende pune.

“Si mund të rrish në kafe dhe të gjithë të rinjtë dhe të rejat po ikin në Gjermani për të punuar jashtë profesionit të tyre. Kur familjet e tyre kanë harxhuar para për t’i diplomuar, për të përfunduar shkollën dhe të shkosh të punosh kamerier”.

Ajo e cilësoi Ramën si një kryeministër që po shpopullon vendin.

“Është një kryeministër që, në fakt, largon të rinjtë dhe të rejat nga Shqipëria dhe sjell njerëz që nuk kanë asnjë lloj lidhjeje, qoftë kjo emocionale, qoftë kjo historike apo edhe kulturore me vendin tonë”.

Kryemadhi gjithashtu prezantoi dhe dy kandidatët, që do të përfaqësojnë qarkun e Fierit në listën e deputetëve të LSI-së.

“Kristiani edhe Renato, që të dy kandidatë të LSI-së në listën e deputetëve të saj. Nuk do doja të thosha kandidatë, më shumë se do të thosha janë përfaqësuesit tanë, janë përfaqësuesit e të rinjve dhe të rejave”.

Për më tepër, ajo tha se Fieri sot ka nevojë për personalitetet e veta, të cilat do t’i duhen jo vetëm për politikën, por dhe për ekonominë, industrinë, bujqësinë dhe për shumë fusha të tjera të jetës.

“Shqipëria nuk mund të jetë han pa porta që mund të hyjnë, të dalin dhe të bëjnë çfarë të duan. Nuk mund të lejojmë ne që të rinjtë tanë të largohen nga Shqipëria”, e mbylli Kryemadhi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore