Lajme

Kryediplomati spanjoll nis turneun ballkanik në Beograd – Bërnabiç e falënderon për mos-njohjen e Kosovës


Jose Manuel Albares dhe Tanja Mishçeviç

Ministri i Punëve të Jashtme të Spanjës, Jose Manuel Albares, turneun e tij në Ballkanin Perëndimor (Serbi, Bosnje-Hercegovinë, Shqipëri dhe Maqedonia e Veriut) e filloi në Beograd me mesazhin se Spanja, pas marrjes së presidencës së Bashkimit Evropian më 1 korrik, do të mbështesë përpjekjet e këtyre vendeve për anëtarësim në BE.

Gjatë turneut të tij në Evropën Juglindore, diplomati spanjoll do të nënshkruajë memorandum mirëkuptimi, me secilin nga katër vendet, për të forcuar bashkëpunimin në procesin e integrimit evropian , raporton portali spanjoll La Cerca, përcjellë Radio Evropa e Lirë.

Portali La Cerca shkruan se shefi i diplomacisë spanjolle planifikon që gjatë udhëtimit të informohet edhe për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, por ky informacion nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet spanjolle.

Në Beograd, të mërkurën, ministri spanjoll me Ministren e Integrimeve Evropiane të Serbisë, Tanja Mishçeviç, nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet dy ministrive, njoftoi të mërkurën Qeveria e Serbisë.

Spanja është një nga pesë shtetet e vetme të Bashkimit Evropian që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Logjika është e thjeshtë – nëse Madridi pranon se Kosova ka të drejtën e pavarësisë, atëherë të njëjtin opsion duhet t’ia lejonte edhe Katalonjës, rajon ky që prej kohësh synon pavarësinë nga Spanja.

Sidoqoftë, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, falënderoi homologun e saj spanjoll, për siç thuhet në komunikatën e lëshuar nga ekzekutivi serb, “qëndrimin e tij parimor, respektimin e integritetit territorial dhe të sovranitetit të Serbisë”.

Në komunikatën e qeverisë serbe ndër të tjera thuhet se shefja e ekzekutivit serb e njoftoi Albares-in edhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa është ankuar se gjoja Qeveria e Kosovës “s’po i përmbush detyrimet e saj nga Marrëveshja e Brukselit”.

Ndryshe, kryediplomati spanjoll, të premten do të takohet në Tiranë me ministren e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka, ndërsa më pas në Shkup do të takohet me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Bujar Osmani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore