Shqipëria

Kryediplomati grek sërish kërkon me urgjencë fokusimin e Evropës te çështja Beleri


Ministri i Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis, tha të mërkurën e 27 marsit se rasti i Fredi Belerit, kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, nga minoriteti grek i Shqipërisë, i cili u dënua kohët e fundit me dy vjet burg për blerje votash, duhet të shihet si një shqetësim evropian dhe jo një çështje dypalëshe midis dy fqinjëve ballkanikë.

“Kjo nuk është një çështje dypalëshe. Nëse një vend kandidat që aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian mbështet parimet e shtetit të së drejtës dhe respekton të drejtat politike të qytetarëve të tij, nuk është dypalëshe. Është një çështje evropiane dhe ne duhet ta perceptojmë si të tillë dhe ta nxjerrim në pah në të gjitha forumet”, tha Gerapetritis për radio Skai.

Ministri kritikoi më tej mandatin e zgjatur të kryebashkiakut të dështuar të Himarës, Jorgo Goro, i cili mbajti postin me autoritet të plotë gati një vit pas zgjedhjeve lokale. Ai e përshkroi këtë situatë si “një fyerje për çdo koncept të shtetit të së drejtës evropiane”.

Megjithatë, Goro ka dhënë dorëheqjen nga detyrat e tij, një ditë pasi Gjykata për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar urdhëroi ndalimin e tij për një kohëzgjatje të papërcaktuar, pas arrestimit të tij me akuzën për shpërdorim të dyshuar të detyrës.

Teksa, nga ana tjetër, ajo çfarë Beleri po pret është vendimi i Apelit lidhur me çështjen e tij, për t’i dhenë edhe fund një sage të vërtetë gjyqësore, ku palët brenda vitit kanë lëshuar akuza e kundërakuza ndaj njëra-tjetrës.

Beleri ka pretenduar se sulmi ndaj tij është politikisht i motivuar dhe asnjë akt i GJKKO-së nuk ka vlerë.

Por, Gjykata Kushtetuese, ka arsyetuar se vendimet dhe veprimet e ndërmarra ndaj tij janë në rregull të plotë kushtetues dhe në të drejtën e Gjykatës së Posaçme, duke zbehur kështu edhe shpresën e Belerit se Kushtetuesja mund t’i jepte të drejtë atij dhe të betohej.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore