Lajme

Kriza në Ukrainë, Blinken takon sot ministrin e Jashtëm rus


Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, do të zhvillojnë një takim në Gjenevë, për të diskutuar mbi situatën e krijuar në Ukrainë.

Të enjten e 20 janarit, Blinken paralajmëroi Moskën për pasoja të rënda nëse ndonjë nga forcat e saj kalon kufirin.

Rusia ka vendosur 100 mijë trupa në kufi, por mohon një planifikim për pushtim.

Presidenti Vladimir Putin ka kërkuar që Ukraina mos të lejohet kurrë të bashkohet me NATO-n.

Ai gjithashtu dëshiron që aleanca mbrojtëse të braktisë aktivitetin ushtarak në Evropën Lindore.

Samiti mes diplomatëve të lartë amerikanë dhe rusë pason lëvizjet e Blinken-it për mbështetjen mes aleatëve të SHBA-ve për sanksionet kundër regjimit të Putinit.

Pas diskutimeve në Berlin me zyrtarë britanikë, francezë dhe gjermanë, Blinken tha se lejimi i një inkursioni rus në Ukrainë “do të na tërhiqte të gjithëve në një kohë shumë më të rrezikshme dhe të paqëndrueshme”.

Zyrtarët e Departamentit të Shtetit kanë thënë se Blinken do të kërkojë t’i ofrojë Lavrov “një hap diplomatik” për të lehtësuar tensionet.

Duke folur së bashku me Blinken, ministrja e re e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, u zotua për veprim të menjëhershëm kundër çdo pushtimi rus dhe nuk përjashtoi vendosjen e masave që “mund të kenë pasoja ekonomike”.

Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss, i ka bërë gjithashtu thirrje Putinit që të “heqë dorë dhe të tërhiqet nga Ukraina përpara se të bëjë një gabim të madh strategjik” që do të çonte në humbje të tmerrshme jetësh.

Bisedimet midis Perëndimit dhe Rusisë javën e kaluar nuk arritën një përparim, me disa nga kërkesat e Moskës që u refuzuan.

Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë së Ukrainës në vitin 2014, pas përmbysjes së një qeverie pro-ruse atje.

Ajo ka mbështetur rebelët pro-rusë që kontrollojnë pjesë të Ukrainës Lindore në një luftë të përgjakshme me forcat qeveritare.

Ekziston frika se konflikti, i cili ka marrë të paktën 13 mijë jetë dhe ka bërë që të paktën dy milionë njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre, mund të rindizet, me ndërhyrjen e hapur të ushtrisë ruse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore