Lajme

Kriza e migrantëve – Lukashenko ndihet “i dëshpëruar” nga sanksionet e BE-së


Migrantët në kampin e sapo ndërtuar të refugjatëve në terrenin e stërvitjes ushtarake Rudninkai, Lituani, të premten, 6 gusht 2021. Agjencia e Mbrojtjes së Kufirit të Bjellorusisë tha të premten se forcoi kontrollin përgjatë kufirit të saj me Lituaninë për të parandaluar autoritetet lituaneze të dërgojnë emigrantë përsëri në Bjellorusi.

Përpjekjet e Bjellorusisë për të destabilizuar Bashkimin Evropian, duke lehtësuar emigracionin ilegal në vendet anëtare, tregojnë se sanksionet perëndimore kundër Minsk-ut po funksionojnë dhe diktatori i saj, paria, Alexander Lukashenko është “i dëshpëruar”.

Këtë e ka konfirmuar një zyrtar i lartë i Migrimit të Bllokut të hënën e 10 gushtit.

Mijëra emigrantë ilegalë, kryesisht qytetarë irakianë, kanë kaluar në BE nga Bjellorusia këtë vit pasi fluturuan drejt Minsk-ut.

Më pas u transportuan në kufirin me Lituaninë – në atë që zyrtarët evropianë thonë se është një nismë e koordinuar nga Lukashenko për të goditur Brukselin.

Rritja e emigrantëve ka ngritur çështjen e mbrojtjes së kufirit të BE-së, ashtu siç rriten shqetësimet për pasojat nga lufta në Afganistan pas tërheqjes së trupave amerikane.

Gjashtë shtete anëtare të BE-së i kanë shkruar Brukselit, duke paralajmëruar kundër ndalimit të dëbimeve të azilkërkuesve afganë, pavarësisht përparimit të shpejtë të militantëve talebanë.

“Jam shumë e shqetësuar për situatën në Afganistan. Duket sikur po përkeqësohet pothuajse çdo orë të çdo dite”, tha Ylva Johansson, komisionere evropiane për Punët e Brendshme, për “Financial Times”.

“Duket një rrezik i madh, që shumë njerëz afganë të mos jenë të sigurt në vendin e tyre. Kjo  mund t’i bëjë ata refugjatë, natyrisht”.

“Por kjo është diçka krejtësisht e ndryshme nga Lukashenko, i cili përdor njerëz që ndoshta nuk janë refugjatë”, shtoi ajo.

BE vendosi sanksione ndaj Minsk-ut në qershor, në përgjigje të goditjes brutale dhe të përgjakshme të Lukashenko-s kundër bjellorusëve që dolën në rrugë për të protestuar kundër rizgjedhjes së tij mashtruese një vit më parë.

Të hënën, Kanadaja, Britania e Madhe dhe SHBA-të vendosën gjithashtu sanksione në një lëvizje të koordinuar.

“Ajo që Lukashenko po përpiqet të bëjë, është destabilizimi i BE-së dhe ai po përdor qeniet njerëzore në një akt agresioni”, tha Johansson. “Sanksionet në të vërtetë e dëmtuan atë, kështu që ai përpiqet të bëjë gjëra për ta kundërshtuar atë”.

“Për mua është një lidhje e qartë midis sanksioneve dhe situatës së tij të dëshpëruar. Atij nuk i mbetet asgjë, përveç dhunës”, tha ajo.

“Ai po përpiqet të na kërcënojë sepse ne kemi qenë të ashpër në të drejtat themelore, në të drejtën për njerëzit bjellorusë – që të kenë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kur përdoret qenia njerëzore, kjo është më e keqja”.

Lukashenko të hënën tha se Bjellorusia do të hakmerrej gjithmonë kur sulmohej, duke shtuar se sanksionet dështojnë, siç “tregohet nga realiteti i ngjarjeve të sotme” në kufijtë e vendit.

Kalimet ilegale në Lituani kanë rënë ditët e fundit, të ndihmuar nga një vendim i Irakut – nën presionin e Brukselit – për të pezulluar fluturimet në Bjellorusi.

Por të hënën Letonia fqinje tha se do të shpallte një gjendje të jashtëzakonshme në kufirin e saj dhe do të ndërtonte një gardh.

Ndërsa Polonia tha se kishte ndaluar një numër rekord prej 349 emigrantësh të paligjshëm nga Bjellorusia që nga e premtja.

BE-ja tashmë ka dërguar roje kufitare të Frontex në Letoni – tha Johansson – dhe Komisioni Evropian ishte gati të rrisë – nëse është e nevojshme – nëse Polonia dhe Letonia kanë nevojë për më shumë mbështetje.

Migrimi i organizuar ilegal ka qenë një shqetësim kryesor për BE-në që nga viti 2015, kur pothuajse 2 milionë njerëz, kryesisht refugjatë nga lufta në Siri, hynë në bllok.

Këta të fundit krijuan një çështje përçarëse shoqërore, që u shfrytëzua nga shumë parti politike ekstremiste.

Që atëherë – presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe rus Vladimir Putin – janë akuzuar për kërcënimin e BE-së me një valë të re të migrimit masiv.

Danimarka, Gjermania, Austria, Belgjika, Holanda dhe Greqia i shkruan javën e kaluar Johansson dhe Margaritis Schinas, nënkryetar të komisionit, duke u kërkuar atyre të mos ndalojnë kthimin e afganëve që nuk arritën të fitojnë azil në BE – pavarësisht konfliktit në vendlindja.

Pezullimi i riatdhesimit të detyruar “ka të ngjarë të motivojë edhe më shumë qytetarë afganë të largohen nga shtëpitë e tyre për në BE”, shkruan ata.

Marrë nga Financial Time, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore