Lajme

“Krimet e UÇK-së?” – si i rrëshqiti goja prokurorit special Jack Smith kur fliste për “parandalimin e dëshmitarëve në Speciale”


Jack Smith

Qysh nga fillimi i punës së Gjykatës Speciale në Kosovë ishte debatuar shumë rreth subjektit të hetimit nga kjo gjykatë.

A i heton individët, apo gjithë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës?

Zyrtarisht, e kishte thënë edhe vetë prokurori special, Jacke Smith, se “Zyra e Prokurorit Special nuk ngre akuza kundër UÇK-së, ose kundër luftës së bërë̈ për pavarësinë̈”.

“Nuk është as dëshira, as detyra e ZPS-së, ose e imja, për ta bërë një gjë të tillë”.

Por, në një rast tjetër, mbase si rrëshqitje, vetë Smith kishte folur për “krimet e UÇK-së”.

Ai, gjatë një seance statusore, më 7 tetor 2021, përmendi shprehimisht “krimet e UÇK-së”, teksa fliste për një klimë frike të njerëzve për t’i treguar Gjykatës atë që ata dinin.

“Është realitet se kjo klimë ka funksionuar në të kaluarën për t’i parandaluar dëshmitarët që të vijnë në Gjykatë për të thënë atë që ata dinë për krimet e UÇK-së”, pati deklaruar Smith.

Prandaj, edhe Ben Emmerson, avokati i ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, dëgjohet i frustruar në seancën e mbajtur më 29 tetor 2021, kur thotë se derisa “lexon materialet që ata (prokuroria) kanë ofruar, bëhet e qartë se Ndërmarrja Kriminale e Përbashkët, që ata pretendojnë̈, është në vetvete Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ekzistimi i atij grupi”.

Emmerson, duke u bazuar në materialet e shpalosura deri më tash, është i bindur se Prokuroria në Gjykatën Speciale nuk ka rast dhe po përpiqet ta krijojë çështjen e saj rreth UÇK-së si “Ndërmarrje Kriminale e Përbashkët”.

“Nuk ka se si të lexohen ndryshe provat kundër z. Veseli, ose të të tjerëve, përveçse të thuhet se ajo që Prokuroria tani po përpiqet të provojë dhe të bëjë është të krijojë një rast se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një ndërmarrje kriminale”, deklaronte Emmerson.

Edhe avokati i Hashim Thaçit, Pierre Prosper, është shprehur se teoria e Prokurorisë se UÇK-ja është një organizatë kriminale është shumë problematike.

Pika 35 e aktakuzës i portretizon si anëtarë të “Ndërmarrjes Kriminale të Përbashkët” pothuajse të gjithë udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të UÇK-së – nga Shtabi i Përgjithshëm, Komandantët dhe Zëvendëskomandantët e Zonave, të Brigadave, të Njësiteve, e deri te ushtarët më të thjeshtë dhe të tjerë që vepronin në emër të UÇK-së.

Dokumentari “Devijimi Special”, i realizuar nga Albanian Post dhe Opinion shtjellon këtë çështje dhe përplasjet mes palëve në Hagë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore