Lajme

Kreu krime në Kosovë, Serbia e dekoron gjeneralin Lazareviç


Në kuadër të kremtimit të 690 vjetorit të ekzistencës së manastirit të Shën Nikollës në Vranjë të Serbisë, peshkopi Pahomija, nderoi të dënuarin e Gjykatës së Hagës për krime lufte në Kosovë, Vlladimir Lazareviç-in.

Në ceremoni, ipeshkvi i dhuroi atij urdhrin e dëshmorëve të Surdulicës, për “nxitje të filantropisë dhe vlerave ortodokse”.

Por, kjo nuk është hera e parë që Lazarevic nderohet në Serbi.

Më 5 gusht, Kuvendi Komunal i Pantelej në qarkun e Nishit të Serbisë e ka shpallur “Qytetar Nderi” të saj Lazareviç-in.

Tribunali Ndërkombëtar në Hagë i Krimeve të Luftës në ish-Jugosllavi e kishte gjetur Lazareviçin fajtor për krime lufte të kryera në Kosovë.

Ai ishte dënuar me 14 vjet burgim prej të cilave 10 kishte qëndruar prapa grilave për t’u liruar pastaj.

Kthimi i tij në Serbi, më 2015, ishte ngjarje shtetërore pasi i gjithë aparati politik kishte dalë për ta pritur Lazareviçin për ta pritur në Aeroportin e Nishit kur erdhi nga Haga.

Kjo nuk është hera e parë që shefi i garnizonit të Prishtinës është shpallur “Qytetar Nderi” i ndonjë komune.

Edhe komuna e Nishit e kishte dekoruar Lazareviçin me çmim komunal në ditën kur ky rajon i Serbisë po festonte çlirimin nga nazistët.

Ndërkaq Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Vladimir Bilchik, tha për REL se raporti i tij i fundit mbi përparimin e Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian bëri thirrje për njohjen dhe zbatimin e vendimeve të krimeve të luftës dhe përfundimin e lavdërimit kriminelët e luftës.

Ai theksoi se në raportin e tij, i cili u miratua nga Parlamenti Evropian në mars, deklaroi qartë se pajtimi dhe bashkëpunimi rajonal janë çelësi për anëtarësimin e ardhshëm të Serbisë në Bashkimin Evropian.

“Parlamenti Evropian inkurajon Serbinë të vazhdojë përpjekjet në të gjitha nivelet që synojnë pajtimin dhe forcimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, përfshirë çështjet që lidhen me pajtimin nga e kaluara e Jugosllavisë”, potencoi Bilchik.

Bilchik, iu bëri thirrje zyrtarëve qeveritarë “të përkushtuar ndaj rrugës evropiane të Serbisë për të punuar për pajtimin, drejtësinë dhe trajtimin e tragjedive të së kaluarës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore