Shqipëria

Kreu i degës së PD-së në Fier jep dorëheqjen, Agron Kapllanaj merr postin


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, të mërkurën e 20 tetorit, ka vendosur në krye të degës së PD-së Fier, ish-kreun e bashkisë Mallakastër, Agron Kapllanaj.

Mësohet se ish-kreu i degës tashmë, Luan Baçi ka dhënë dorëheqjen nga posti.

Komandimi i Kapllanaj do të vijojë deri në zgjedhjet e reja në PD, sipas parimit një anëtar një votë dhe ka ardhur në bazë të statutit të partisë.

Nga ana tjetër Baçi ka dalë në krah të liderit historik të PD-së, Sali Berisha. Që prej përjashtimit nga Grupi Parlamentar i PD-së, ky i fundit ka nisur “turin e foltoreve” për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së.

Ai u përjashtua nga Grupi një ditë para fillimit të punës së Kuvendit të Shqipërisë nga Basha. Pikërisht ky vendim ka sjellë polemika brenda radhëve të demokratëve.

Synimi i Berishës është që “t’i rikthehet sovraniteti Partisë Demokratike”.

Berishës do t’i duhet sipas statutit të partisë që të mbledhë firmat e afërisht 1 mijë e 500 delegatëve.

Megjithatë Basha ka thënë prerasi se nuk do të lejojë mbledhjen e Kuvendit Kombëtar për të diskutuar vendimet e SHBA-ve.

Këshilli i PD-së, pas zgjedhjeve të 17 korrikut, përbëhet nga 487 anëtarë. Berisha, gjysmën prej tyre, duhet t’i ketë krah vetes për ta rrëzuar Bashën.

Gjithsesi, kjo është një rrugë më e vështirë, sepse për të mbledhur Kuvendin, ka vetëm tre rrugë: E thërret kryetari, kryesia e partisë ose 25% e anëtarëve në Kuvend.

Kjo e dyta, për Berishën, mbetet një rrugë më e vështirë.

Ishte një vendim i datës 19 maj, nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, që e shpalli Sali Berishën – së bashku me familjen e tij – si persona non-grata në SHBA. Pikërisht kjo solli përçarjen dhe ndarjen mes “demokratëve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore