Shqipëria

Berisha nis betejën


Një vendim që i erdhi sa i paralajmëruar, aq edhe i papritur, nga benjamini i tij, Lulzim Basha.

Ai, lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk është më pjesë e grupit parlamentar të PD-së.

Megjithatë, nga sot, e nis betejën politike ndaj njeriut që formësoi politikisht.

Edhe pse pak mund ta kishin menduar, sot Basha-Berisha janë të ndarë. Basha, në drejtim të PD-së dhe Berisha në krye të bashkëbisedimeve me demokratët në Tiranë.

Sali Berisha dhe Lulzim Basha largohen nga selia e Partisë Demokratike

Dy ditë më parë, ish-kryeministri ka njoftuar se “e enjtja do të jetë dita kur rruga e Partisë Demokratike do të marrë rrjedhë tjetër”, nga vetë ai.

“Në Hotel Rogner nisim ciklin e Foltores për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë dhe më të hapur”.

Kështu do të shkruante një ditë më parë në median sociale Facebook, Berisha.

Kjo foltore, sipas tij, do të nisë me bashkëbisedime me demokratët në Tiranë.

Në vijim, në ditë të përcaktuara, do të shtrihen në të gjithë Shqipërinë.

Pse ky vendim i Berishës?

Duhet të kthehemi pas në kohë, më 19 maj, kur në një postim në Twitter, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e shpalli ish-presidentin, ish-kryeministrin dhe liderin historik të PD-së, Sali Berisha – së bashku me familjen e tij – si persona non-grata në SHBA.

Këtë të fundit ai e bazoi në faktin se Berisha gjatë viteve që ka udhëhequr qeverinë shqiptare ka kryer afera korruptive. SHBA-të e akuzojnë Berishën për korrupsion.

Akuza që ish-lideri i ka mohuar në mënyrë të vazhdueshme, duke e çuar çështjen në gjykata ndërkombëtare, për të vepruar forca e ligjit në zgjidhjen e saj.

Pas dy muajve, do të vinte e premtja e 30 korrikut – vizita e ambasadores amerikane, Yuri Kim, tronditi zyrat e PD-së.

Si rrallëherë vepruar nga ambasadorët, Kim deklaroi, se “do të ishte një ironi historike dhe tragjike, nëse Partia Demokratike do të hante bar për hatër të një deputeti të saj”.

Thirrja e saj ishte e qartë: Basha duhej të largonte Berishën.

Ku qëndron përplasja Basha-Berisha?

Pikërisht Lulzim Basha, në një vendim in-extremis një ditë para fillimit të punimeve të Kuvendit të ri të Shqipërisë – 14 orë para – shpalli përjashtimin e Berishës nga Grupi Parlamentar i PD-së.

I menjëhershëm ishte reagimi i Berishës, i cili e cilësoi vendimin e Bashës si të padrejtë dhe nul. Madje, nuk do ta pranonte kurrë këtë vendim.

Por Berisha e tha – për herë të parë -, “Basha më mirë të dorëhiqej”.

Këtë të fundit e lidhi me aspektin se nuk duhej të dorëzonte sovranitetin e PD-së.

Sipas Berishës, një Kryetar nuk mund të japë vendime pa mbledhur Kongresin e partisë. Për më tepër, ai thekson faktin se Basha ka thyer statutin e PD-së.

Prandaj Berisha nis betejën krah anëtarësisë së PD-së, për të vlerësuar këtë vendim. Kjo e fundit, mund t’i japë tjetër drejtim fatit të Berishës dhe Bashës.

Çfarë ndodhi më tej?

Berisha e tha i prerë: “Unë jam deputet i PD-së dhe do të shkoj në Kuvendin e Shqipërisë”.

Të premten, 10 shtator, në orën 10:00, Berisha ishte para dyerve të Kuvendit të Shqipërisë.

Madje ai u shoqërua nga aleatët e hershëm të tij, Edi Paloka, Tritan Shehu dhe Flamur Noka.

“Sot, nis beteja ndaj pazareve të fëlliqura Basha-Rama”, tha ai para mediave.

Çfarë thotë rrafshi statuor që pretendon Berisha?

Në bazë statuti, dy opsione janë në lojë për Berishën.

Vendimin e Bashës, Berisha e ka përkufizuar si nul publikisht. Por, juridikisht, ai duhet t’u drejtohet strukturave demokrate. Saktësisht, në statut, nenit 54.

Në pikën II të tij, flitet për ankesat e anëtarëve kundër masave disiplinore të marra nga organet e partisë.

Duke qenë se sipas Berishës, por edhe e pranuar vetë nga Basha, vendimi është personal i kryetarit, mjafton që lideri historik demokrat, ta ankimojë çështjen në Komisionin e Apelimit brenda PD-së.

Ky komision drejtohet nga Flutura Açka në PD.

Në rast ankimimi, ajo në drejtim të komisionit, do të ishte përgjegjëse për të vlerësuar ligjshmërinë e vendimit të Bashës.

Rruga tjetër, mund të ishte ajo e një mocioni mosbesimi ndaj Bashës, në mbledhje të Kuvendit Kombëtar.

Këshilli i PD-së, pas zgjedhjeve të 17 korrikut, përbëhet nga 487 anëtarë. Berisha, gjysmën prej tyre, duhet t’i ketë krah vetes për ta rrëzuar Bashën.

Gjithsesi, kjo është një rrugë më e vështirë, sepse për të mbledhur Kuvendin, ka vetëm tre rrugë: E thërret kryetari, kryesia e partisë ose 25% e anëtarëve në Kuvend.

Kjo e dyta, për Berishën, mbetet një rrugë më e vështirë.

Vetë Berisha, edhe pse përmend lëvizje statutore, mocion mosbesimi për Bashën nuk përmend.

Kthim ose jo, një lëvizje për fitore apo betejë – edhe nëse jo për mocion – Berisha e nis sot.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore