Shqipëria

Kreu i AIR-it në Azerbajxhan për AP-në: Shqipëria partnere dhe jo mjet ndikimi, bashkëpunim për gazifikimin e vendit


Me luftën në Ukrainë, gazi u kthye me dashje ose jo në një nga çështjet më me ndikim në jetën e përditshme dhe atë politike.

Liderë evropianë u panë duke garuar me kohën për të gjetur burime të gazit, e për të lidhur marrëveshje të reja ndonjëherë dhe vetjake.

Teksa të gjithë të lartpërmendurat po ndodhnin, në Republikën e Shqipërisë zbarkon një personazh.

Pikërisht, presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, i cili më 15 nëntor 2022 kreu edhe vizitën e tij të parë shtetërore në Tiranë.

Vlen të theksohet se Azerbajxhani është një nga vendet ku sytë e Evropës u drejtuan në rrugën për të ndërprerë ndikimin nga gazi rus.

Marrëdhëniet diplomatike midis Republikës së Azerbajxhanit dhe Republikës së Shqipërisë u vendosën më 22 shtator 1993 dhe gjatë 30 viteve të fundit dy vendet kanë bashkëpunuar në fusha të ndryshme si kultura, tregtia, siguria dhe energjia.

Por këtë vit që po lëmë pas u shënua një përparim i dukshëm në marrëdhëniet dypalëshe.

Të paktën i këtij mendimi është Kreu i departamentit të Qendrës së Analizës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare (AIR) në Baku, Vasif Huseynov.

Ai në intervistë për Albanian Post shprehet se edhe kthimi i vizitës nga kryeministri i shqiptar Edi Rama përbën një ndryshim total mes palëve.

“Përpos interesit për promovimin e marrëdhënieve të tyre, ata bashkohen edhe në shumë pika të tjera”, mendon Huseynov.

Eksperti i marrëdhënieve të Azerbajxhanit me Evropën ravijëzon se në sfondin e përpjekjeve evropiane për të eliminuar varësinë energjetike nga Rusia, Azerbajxhani shquhet si një nga alternativat e pakta për furnizimin me gaz në kontinentin evropian.

Por, duhet pasur në mendje një detaj.

“Megjithëse vëllimi i eksporteve të Azerbajxhanit përbën më pak se 5 për qind të kërkesës totale të vendeve evropiane, këto eksporte mund të mbulojnë pjesën e konsiderueshme të kërkesës për gaz të disa vendeve të Evropës”.

E në këto vende bëhet fjalë edhe për Shqipërinë, Bullgarinë, Serbinë dhe Greqinë.

Në këtë kontekst, Azerbajxhani kontribuon në sigurinë energjetike të Evropës.

Shqipëria dëshiron të diversifikojë furnizimin e saj me energji duke përdorur burime të rinovueshme, LNG dhe gaz natyror të tubacionit.

Kështu, një tjetër burim i rëndësishëm i furnizimit me gaz natyror mund të jetë gazi natyror i Azerbajxhanit nëpërmjet Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP), i cili është pjesa evropiane e Korridorit Jugor të Gazit (SGC).

Por jo vetëm.

TAP do të projektojë, prokurojë dhe ndërtojë pikën e daljes së gazit të Fierit, një investim shumë milionë euro në vend.

Impianti i ri është një moment historik i rëndësishëm për gazifikimin e Shqipërisë, pasi do të mundësojë një pikë ndërlidhjeje ndërmjet sistemit të transportit TAP dhe infrastrukturës së ardhshme të gazit në Shqipëri.

Ndërkohë, Shqipëria është e interesuar edhe për pjesëmarrjen aktive të Azerbajxhanit në procesin e gazifikimit të vendit.

A është kjo një mënyrë për Baku-në të shtrijë ndikimin në Ballkan?

Eksperti politik e kundërshton këtë ide, ai shprehet se Azerbajxhani nuk është një shtet me ambicie më të gjera gjeopolitike për të konkurruar me fuqitë e mëdha si SHBA, Rusia apo Kina në rajone përtej fqinjësisë së afërt të vendit.

“Për Azerbajxhanin, vendet e Ballkanit janë partnerë në projekte të ndryshme ekonomike dhe rajonale. Në këtë kontekst, Baku-ja zyrtare është e interesuar për marrëdhënie reciproke të dobishme dypalëshe me vendet e rajonit”.

Ai rikujton se Azerbajxhani vepron si furnizues i gazit natyror dhe përgatitet të jetë gjithashtu furnizues i energjisë elektrike në Evropën Lindore.

“Memorandumi i ri i Mirëkuptimit për një Partneritet Strategjik në Fushën e Energjisë ndërmjet BE-së dhe Azerbajxhanit që u nënshkrua më 18 korrik në Baku synon të rrisë importet e gazit natyror të Azerbajxhanit në Evropë”.

Sipas këtij MM, Azerbajxhani pritet të rrisë eksportet e tij të gazit në BE me të paktën 20 miliardë metra kub (bcm) në vit deri në vitin 2027.

“Së dyti, marrëveshja e fundit e nënshkruar më 17 dhjetor në Bukuresht hapi një kapitull të ri në marrëdhëniet BE-Azerbajxhan duke parashikuar eksportin e energjisë elektrike nga Azerbajxhani në Evropën Lindore nëpërmjet një kablloje nënujore nën Detin e Zi”.

E për Huseynov këto zhvillime në marrëdhëniet midis Azerbajxhanit dhe vendeve të Evropës Lindore sjellin me vete edhe përafrim gjeopolitik mes palëve.

Kontributi i Azerbajxhanit në sigurinë energjetike evropiane krijon një urë të rëndësishme midis BE-së dhe Azerbajxhanit.

Ura ndërmjet dy brigjeve të Detit të Zi formon një arkitekturë më të madhe sigurie, e cila rrit elasticitetin e vendeve të rajonit përballë sfidave të sigurisë kombëtare me të cilat përballen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore