Lajme

Krasniqi për Xhakën e Lipën: Kampionë të vërtetë në fushat e veta, flasin gjithmonë me mburrje për Kosovën


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka përgëzuar për sukseset e fundit që korrën futbollisti Granit Xhaka dhe artistja Dua Lipa.

Me anë të një postimi në llogarinë e tij të Facebook-ut, i pari i PDK-së, ka thënë se përkushtimi i tyre mbi profesionet e veta si dhe modestia për xhelozi, që sipas Krasniqit, i karakterizon Xhakën e Lipën – kanë bërë që ata të triumfojnë në sferat e tyre profesionale.

Ai e ka cilësuar “momente krenarie”, arritjet e dyshes, derisa ka vlersuar faktin për promovimin që ata i bëjnë Kosovës në botë në mënyrë konstante.

“Dje Granit Xhaka u shpall kampion i Gjermanisë, sot Dua Lipa në ballinën e revistës Time Magazine – në mesin e 100 personave më me ndikim në botë”, shkroi Krasniqi.

“Talenti, puna dhe pasioni, bashkë me një modesti për xhelozi që i karakterizon Granitin e Duan, i kanë shndërruar ata në kampionë të vërtetë në fushat e tyre. Çfarë momenti krenarie për këta dy yje, që me dashuri dhe mburrje flasin gjithmonë për Kosovë”, shtoi ai pos tjerash.

Me një super paraqitje dhe fitore voluminoze, Bayer Leverkuseni ka siguruar suksesin historik – titullin e kampionit të Gjermanisë – një prej golave më superior u shënua pikërisht nga Xhaka.

Granit Xhaka.

Leverkuseni fitoi 5:0 ndaj Werder Bremenit, të dielën, dhe fitoi titullin e parë në histori.

Kjo ishte ndeshja e 43-të rresht pa humbje e Bayer Leverkusenit, derisa Xhaka ka luajtur në 41 prej tyre dhe është pushuar në dy të tjera.

Në anën tjetër, Dua Lipa është ylli i parë i zbuluar në kopertinën e “TIME 100”, të njerëzve më me ndikim në botë për vitin 2024.

Lipa është shqiptarja e tretë që bëhet pjesë e kësaj liste prestigjioze, duke pasuar Nënë Terezën dhe Rene Rexhepin.

Dua Lipa, ylli i parë i kopertinës së “TIME 100”, pjesë e listës së njerëzve më me ndikim në botë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore