Kosova

Krasniqi për Betejën e Koshares: U thye kufiri shqiptaro-shqiptar, frymëzoi zemrat e çdo shqiptari


Komandantët UÇK-së në Betejën e Koshares: Agim Ramadani, Sali Çeku dhe Anton Quni

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka përkujtuar një nga betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), atë të Koshares, ku ishte thyer kufiri shqiptaro-shqiptar, përkatësisht mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se sot mbushet një çerek shekulli qëkur ushtarët e Brigadës 138 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nën udhëheqjen e heroit Agim Ramadani, thyen kufirin shqiptaro-shqiptar, “duke i dhënë luftës çlirimtare një frymë e një jehonë tjetër që do të frymëzonte zemrat e çdo shqiptari të etur për liri.

Në vlerësimin e liderit të opozitës beteja e Koshares, në historinë e luftës sonë, “shënon një nga fitoret e mëdha të UÇK-së, si paralajmërim për fitoren përfundimtare që do të vinte dy muaj më vonë”.

“Lavdi dëshmorëve të Koshares! Respekt dhe mirënjohje e përhershme veteranëve!”, përfundoi.

Po ashtu, edhe ish-kryeministri Avdullah Hoti, ka përkujtuar Betejën e Koshares, duke e konsideruar si një nga ngjarjet më të lavdishme për popullin tonë dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“9 prill 1999 ishte dita e hapjes së kufirit shqiptaro-shqiptar në krye me komandantin Agim Ramadanin. E ky ishte sinjal i qartë se populli ynë nuk dorëzohet deri në pavarësi. Përherë mirënjohës ndaj veteranëve, martirëve dhe të rënëve për liri!”, shkroi Hoti në Facebook.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), përfundoi duke thënë: “Zoti e bekoftë luftën tonë të lavdishme për liri!”, dhe “lavdi për të gjithë Dëshmorët dhe të rënët për liri!”.

9 prilli shënon një nga datat më të rëndësishme në historinë bashkëkohore të popullit shqiptar. Përkujtohet njëra nga betejat më të lavdishme dhe më të suksesshme të UÇK-së, ajo e Koshares.

Më 9 prill të vitit 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, Brigada 138 e UÇK-së, më në krye komandantin Agim Ramadani, ishte arritur thyerja e kufirit shqiptaro-shqiptar.

Përveç marrjes së kontrollit të kufirit, suksesi në Betejën e Koshares ishte e një rëndësie të veçantë, për shkak se hapej rruga në krijimin e një rrjeti të qëndrueshëm të mbështetjes dhe logjistikës për UÇK-në.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore