Lajme

Krasniqi kërkon liberalizim të vizave nga Brukseli


Kreu i Partisë Demokratike e Kosovës, Memli Krasniqi dhe eurodeputeti Lukas Mandl.

Kreu i Partisë Demokratike e Kosovës, Memli Krasniqi, me bashkëpunëtorët që po qëndrojnë në Bruksel, kanë takuar liderë të shumtë politikë.

Kështu është bërë e ditur përmes një komunikatë për media nga PDK, në cilën është theksuar kërkesa e Krasniqit bërë BE-së për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Temat që u shtjelluan në këto takime ishin mbështetja e Parlamentit Europian lidhur me procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, thellimi i bashkëpunimit politik me BE-në për t’i hapur rrugë integrimit europian të Kosovës në tërësi, si dhe fuqizimi i shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Ndërsa, tutje bëhet e ditur se takime ka pasur edhe sekretarin e Integrimeve Euro-Atlantike dhe sekretarin për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Bernard Nikaj.

“Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, bashkë me Sekretarin për Çështje të Integrimeve Euro-Atlantike, Bekim Çollaku dhe Sekretarin për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Bernard Nikaj, gjatë qëndrimit të tyre në Bruksel kanë zhvilluar takime të ndara me kryetarin e Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Europian, David McAllister, Raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, si dhe me Kryesuesin e Grupit të Miqësisë me Kosovë në Parlamentin Europian, Lucas Mandl”.

Kreu i PDK-së Memli Krasniqi dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon.

Tutje Krasniqi, ka bërë të ditur se eurodeputetin Mandl e ka falënderuar për angazhimin e tij në procesin e liberalizimit të vizave.

“Eurodeputetin Mandl e falënderova për angazhimin e tij në këtë pikë, i cili u pajtua se mundësimi i lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës është urgjent dhe shumë i rëndësishëm. Po ashtu, Mandl, i cili ishte Shef i Misionit Vëzhgues të BE-së për zgjedhjet lokale në Kosovë, na përgëzoi për nivelin e lartë të demokracisë të treguar në këtë proces nga i tërë spektri politik në Kosovë”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi gjatë ditës është takuar edhe me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në Bruksel, ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi duhet të përfundojë sa më shpejt me njohje të ndërsjellë.

Ai në këtë vizitë të tij është shoqëruar nga Sekretari për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Bernard Nikaj, dhe Sekretari për Çështje të Integrimeve Euro-Atlantike, Bekim Çollaku.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore