Lajme

Krasniqi i lumtur që propozimet e PDK-së për dialogun po merren si model


Memli Krasniqi

Propozimet dhe kërkesat e Partisë Demokratike të Kosovës për dialogun Kosovë-Serbi, sipas kryetarit të kësaj partie, Memli Krasniqi, po merren si model.

Dhe një gjë e tillë sipas Krasniqit është një shenjë e mirë.

“Mua më vjen mirë që kërkesat dhe propozimet që i kemi dhënë si PDK dhe unë personalisht në të gjitha takimet qoftë me Eskobar qoftë edhe me Lajçak tashmë janë duke u pranuar dhe po bëhen pjesë e qasjes së re. Ne kemi thënë qysh herët që të ketë afatizim sa i përket procesit të dialogut. Kemi kërkuar që të mosdiskutohen ndaras temat teknike”, ka thënë Krasniqi në një intervistë për agjencinë e lajmeve Ekonomia Online.

Megjithatë për liderin opozitar, plani franko-gjerman i cili së fundmi u quajt si propozim i Bashkimit Evropian i mbështetur nga Franca e Gjermani e të cilin Albanian Post e kishte publikuar pjesërisht më 18 shtator e tërësisht më 12 nëntor, është vështirë i pranueshëm.

Pa u arritur njohja e Kosovës nga pesë vendet mosnjohëse të BE-së, pa u anëtarësuar Kosova në NATO, pa u marrë statusi kandidat, sipas tij është e pamundur të shkohet drejt marrëveshjes finale që ka në qendër njohjen reciproke.

“Plani i ashtuquajtur franko-gjerman në versionin aktual është vështirë të pranohet nga Kosova, por unë jam i bindur që duhet të diskutohet për këtë dhe e kam inkurajuar kryeministrin për të shkuar në drejtim të arritjes së pesë shtyllave kryesore që janë të domosdoshme për arritjen e marrëveshjes si, ruajtja e karakterit unitar të shtetit të Kosovës”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore