Zgjedhjet në Kosovë

KQZ pastron listat zgjedhore


Në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit do të jenë të hapura 888 qendra votimi me gjithsej 2382 vendvotime, ku qytetarët do të votojnë në mbarë territorin e Republikës së Kosovës.

Sipas certifikimit të listës nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, 1 milion e 794 mijë e 862 është numri i qytetarëve me të drejtë vote në këto zgjedhje.

Kurse, në krahasim me zgjedhjet paraprake, ato të vitit 2019, këtë vit në zgjedhje do të mund të marrin pjesë 143 mijë e gjashtë votues më pak.

Numri i votuesve të rinj, pra i atyre që do të votojnë për herë të parë pasi kanë mbushur 18 vjet, është 49 mijë e 198 votues.

Ndërsa, numri i votuesve që nuk kanë qenë pjesë e listës votuese 2019, e të cilët konsiderohen të regjistruar për herë të parë në regjistrin qendror civil mes dy palë zgjedhjesh është 10 mijë e 433 votues.

Nga lista votuese  gjithashtu janë larguar, 122 mijë e 421 persona të cilët posedojnë vetëm dokumente të identifikimit të lëshuara nga UNMIK-u. Dhe duke pasur vetëm dokument të lëshuar nga UNMIK-u, një votues nuk mund të identifikohet në vendvotim.

Po ashtu, nga lista votuese janë larguar 11 mijë e 86 persona të cilët nuk janë më pjesë e skemës penzionale të Kosovës për shkak se kanë vdekur.

Të dhënat janë marrë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe janë konfirmuar në terren nga Zyrtarët Komunal të Zgjedhjeve.

Komunat me numrin më të lartë të qytetarëve me të drejt vote duke e kaluar 100 mijëshin janë: Prishtina me 185 mijë e 635 votues, Prizreni me 165 mijë e 951 votues, Gjakova me 108 mijë e 542 votues, Ferizaj me 104 mijë e 688 votues si dhe Peja me 104 mijë e 82 votues.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore