Kosova

KQZ-ja shpall konkurs për zyrtarët e lartë të komisioneve zgjedhore në Veri


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), të hënën ka shpallur konkurs për Zyrtarë të Lartë Komunal të Zgjedhjeve për gjashtë komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok, Mamushë dhe Lipjan.

Lajmin e ka konfirmuar për Albanian Post zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Këto konkurse do të jenë të hapura deri më: 14 shkurt 2023, në orën 16:00.Aplikacionet e dërguara me postë, të cilat mbajnë vulën postare mbi dërgesën e bërë ditën e fundit të afatit për aplikim, do të konsiderohen të vlefshme dhe do të merren në shqyrtim nëse arrijnë brenda 4 ditësh”.

Ai tutje ka sqaruar se aplikacionet që arrijnë pas këtij afati dhe ato të pakompletuara nuk do të shqyrtohen.

“Aplikacionet merren dhe dorëzohen në Sekretariatin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Zyra e Personelit, dhoma nr.21 kati 1, ish ndërtesa e Bankës së Lubjanës. Rruga “Migjeni” 10000 Prishtinë, përmes postës elektronike në adresën: [email protected] dhe me anë të shërbimit postar”.

Më 9 nëntor, pas largimit të Policisë në Veri të Mitrovicës, deputetëve të Listës Serbe nga institucionet e Kosovës, gjykatësve dhe prokurorëve serbë, dorëheqjet e tyre i kishin dorëzuar edhe zyrtarët e lartë të Komisioneve Komunale Zgjedhore.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit – në nëntor njoftoi për dorëheqjen e policëve, prokurorëve, gjyqtarëve dhe zyrtarëve të tjerë serbë, në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës lidhur me konvertimin e targave, nga ato ilegale serbe, në RKS- Republika e Kosovës.

Që atëherë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, palët kanë arritur marrëveshje për çështjen e targave.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po ashtu u ka bërë thirrje serbëve që të aplikojnë për vende pune në institucionet e Kosovës, të cilat kanë mbetur bosh pas dorëheqjeve të paraqitura në nëntor.

Më 29 dhjetor, pas 20 ditësh disa serbë të maskuar i kanë larguar barrikadat nga Veriu i Kosovës të cilat i kishin vendosur në shenjë pakënaqësie pasi policia e kishte arrestuar ish-policin Dejan Pantiç, i cili dyshohet për sulmin e 6 dhjetorit në zyrën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Veri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore