Lajme

Edhe zyrtarët e lartë të komisioneve zgjedhore në Veri japin dorëheqje


Ilustrim

Pas largimit të Policisë në Veri të Mitrovicës, deputetëve të Listës Serbe nga institucionet e Kosovës, gjykatësve dhe prokurorëve serbë, të mërkurën dorëheqjet e tyre kanë dorëzuar edhe zyrtarët e lartë të Komisioneve Komunale Zgjedhore.

Me njoftimin se do të organizohen zgjedhje të jashtëzakonshme për zëvendësimin e kryetarëve të komunave dhe deputetëve serbë të cilët dhanë dorëheqje, kryetarët e komisioneve zgjedhore komunale në mënyrë të organizuar me qëllim të bojkotimit të këtij procesi kanë dhënë dorëheqje në mëngjesin e sotëm nga pozitat e tyre.

Një gjë të tillë ka konfirmuar për mediumin serb me seli në Kosovë, Kosovo Online, zyrtari i lartë i KKZ-së për Mitrovicën e Veriut, Slobodan Dimitrijeviç.

Në anën tjetër të martën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka pranuar kërkesën nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani për emrat e personave në radhë për të zëvendësuar vendet e lira nga dorëheqja e deputetëve të Listës Serbe.

Lajmin për Albanian Post e kishte konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Mund t’iu konfirmoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar kërkesën nga Presidentja e Republikës së Kosovës për të rekomanduar emrat e personave të ligjshëm të radhës për të plotësuar vendet e lira në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, deklaroi ai për AP.

Ai tutje ka sqaruar se rekomandimet do të përgatiten brenda afatit prej 5 ditëve.

“Duke u mbështetur në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përgatisë rekomandimin brenda afatit ligjor prej 5 ditësh pune nga momenti i marrjes së kërkesës”.

Ndryshe “Lista Serbe” vendosi të shtunën e 5 nëntorit që pjesëtarët e saj të largohen nga institucionet e Kosovës.

Kjo, pas një takimi të zhvilluar në mesditën e së shtunës në Zveçan.

Serbët nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës deri në momentin kur Qeveria e Kosovës do të tërheqë vendimin për targat dhe fillon formimin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe.

Kryetari i Listës Serbe (njëkohësisht ministri për Komunitete dhe Kthim), Goran Rakiç, u dorëhoq nga pozita të cilën e ka drejtuar pak më shumë se një vjet e gjysmë.

Edhe Igor Simiç, i cili është deputet në radhët e Listës Serbe ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

Serbët kanë vendosur që të largohen edhe nga gjyqësori si dhe Policia.

“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, theksoi Rakiç pas takimit.

Në anën tjetër zyrtarë të Policisë së Kosovës, pas vendimit të Listës Serbe për t’u larguar nga të gjitha institucionet kanë larguar nga trupi i tyre uniformat e Policisë së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore