Lajme

KQZ: 160 kandidatë nga subjektet politike kanë probleme me ligjin


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka mbajtur konferencë për media lidhur me procesin e verifikimit të kandidatëve nga institucionet e ndryshme nëse janë në pajtueshmëri me nenin 29 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se pas verifikimeve nga institucionet e sigurisë rezulton se 30 subjekte politike kanë kandidatë që nuk plotësojnë kriteret.

“Janë 160 kandidatë nga lista prej më shumë se 5 mijë të tillë që kanë kërkuar certifikim, por që kanë së paku një dënim në tri vitet e fundit”, ka deklaruar Valmir Elezi.

Elezi ka deklaruar se këta kandidatë që kanë dënime për vepra penale në tri vitet e fundit janë edhe në garën për kryetarë të komunave edhe për asamble komunale.

Ai ka thënë se për momentin nuk mund të bëjnë publikimin e emrave të kandidatëve që janë refuzuar të certifikohen pasi sipas tij këtë nuk ua lejon ligji.

Por, bëri të ditur se deri me 8 shtatorë do të vazhdojnë procedurat e ankesave kur edhe do të hodhët shorti për zgjedhjet lokale.

Deri në orën 16:00 të ditës së 24 gushtit, ka qenë afati për pranim të përgjigjeve nga institucionet e ndryshme, në mesin e të cilave edhe nga KGJK-ja, nga ku është kërkuar të dihet se kush janë kandidatët që kanë dënime të formës së prerë nga gjykata për vepra penale në tri vjetët e fundit.

Po ashtu, KQZ ka bërë të ditur të martën se ka kërkuar nga Shqipëria huazimin e 50 kamerave regjistruese për përdorim në Zgjedhjet Lokale të 17 tetorit.

Kamerat të cilat janë kërkuar nga Shqipëria janë përdorur në zgjedhjet e fundit të 25 prillit ndërsa ato në Kosovë është planifikuar të përdoren vetëm në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

Elezi ka thënë se nga shteti shqiptar kanë marrë një përgjigje pozitive dhe lidhur me këtë së shpejti pritet të nënshkruhet edhe një memorandum bashkëpunimi mes të dy institucioneve përkatëse.

Data e Zgjedhjet Lokale në Kosovë është përcaktuar nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani pas një konsulte paraprake me partitë politike.

Ndërsa si rezultat i rritjes së rasteve me COVID-19, së fundi është kërkuar që zgjedhjet të shtyhen për së paku gjashtë muaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore