Lajme

KPK-ja refuzon të jetë pjesë e grupit punues për Vetingun


Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), përmes një komunikate për media kë bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në Grupin punues të caktuar nga Ministria e Drejtësisë për hartimin dhe finalizimin e legjislacionit për procesin e Vettingut në Sistemin e Drejtësisë.

“Ky koncept-dokument i dorëzuar në Qeveri nuk iu është dhënë anëtarëve të grupit punues nga sistemi prokurorial të cilët janë të painformuar me përmbajtjen finale të këtij dokumenti”, thuhet në komunikatë.

Sipas njoftimit të KPK, ky qëndrim vjen si rrjedhojë e qasjes së Ministrisë së Drejtësisë.

KPK, konsideron se kjo qasje është e njëanshme dhe përjashtuese nga ana e Ministrisë së Drejtësisë për ne është jo-serioze dhe jo-profesionale.

“Në procese të tilla të rëndësishme është thelbësore të ketë gjithëpërfshirje aktive të të gjitha palëve, të ndërtohet besimi reciprok dhe të kultivohet një qasje konstruktive, pa paragjykime, e bazuar në objektivitet dhe bashkërendim”.

Ndërsa, ka theksuar se si institucion kushtetues mbetet e përkushtuar për të bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet e vendit.

Të enjten, po ashtu kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Albert Zogaj në intervistën e publikuar në faqen e Këshillit Gjyqësor në Facebook deklaroi se “KGjK-ja ka marrë pjesë në grupin punues për koncept-dokumentin e Vettingut.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Albert Zogaj

Sipas Zogaj KGjK, ka paraqitur një analizë të tërësishme  lidhur me çështjet gjyqësore që duhet të adresohen por përmes mekanizmave të brendshëm të KGjK-së por kjo përgjigje fare nuk është marrë parasysh nga Ministria e Drejtësisë”.Këshilli Gjyqësor do ta diskutojë ftesën e Ministrisë së Drejtësisë për amendamentet kushtetuese dhe ligjet e tjera.

“Përfundimisht ne kemi vendosur që të mos marrim pjesë në këtë proces dhe arsyeja qëndron në faktin se është një proces krejtësisht i paragjykuar”, tha Zogaj.

Vettingu është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.

Për vite me radhë, institucionet e Kosovës kanë tentuar që të nisin procesin e verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore