Shqipëria

Greqia hap kufijtë, por jo me Shqipërinë


Mëngjesin e 19 prillit, autoritetet greke njoftuan Shqipërinë se Pika Kufitare e Kapshticës do të vijojë të jetë e mbyllur deri më 26 prill.

Ky vendim vjen në një kohë kur në Shqipëri, më 25 prill 2021, do të mbahen zgjedhjet parlamentare.

Sakaq, Organizatat e Minoritarëve Greke dhe Emigrantëve Shqiptarë në Greqi i kanë bërë thirrje qeverisë greke që, këtë fundjavë, për shkak të zgjedhjeve, të lehtësojë qarkullimin e votuesve në pikën kufitare të Kakavijës.

Pala greke e ka bllokuar hyrjen e shqiptarëve në shtetin fqinj që më 20 nëntor 2020.

Ndërkohë, Shqipëria i ka mbajtur të hapura si hyrjet, ashtu edhe daljet drejt Greqisë.

Fillimisht këto masa u ndërmorën për shkak të ndalimit të përhapjes së Covid-19, pas shtimit të rasteve çdo ditë e më shumë te të dyja vendet fqinje.

Ky vendim, ngjall pikëpyetje. Javën e kaluar, shteti grek lajmëroi se, duke nisur nga 19 prilli, do të hapte sezonin turistik për 30 vende të ndryshme.

Kjo për vendet anëtare të Bashkimit Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Emiratet e Bashkuara Arabe, Izraeli dhe shteti fqinj Serbia.

Ndërkohë nga të dhënat zyrtare, Shqipëria renditet e treta për sa i përket numrit më të ulët të rasteve të reja ditore nga Covid-19. Përkatësisht 59.62 raste të reja për milionë banorë gjatë shtatë ditëve të fundit.

Që prej datës 23 shkurt, Shqipëria ka parë çdo ditë e më shumë, më pak raste të reja infektimesh ditore nga Covid-19.

Në vendin e parë, për rënie të shifrave ditore, renditet Izraeli, me 18.39 raste të reja për milionë banorë. Ndërsa, e dyta, Mbretëria e Bashkuar me 38.83 të tilla.

Serbia ka tetë herë më shumë raste ditore se Shqipëria, 425.24 të tilla për milionë.

Pavarësisht këtij fakti, kufijtë mes Greqisë dhe Serbisë u hapën.

Vendet e BE-së vijojnë më pas me 306.48 raste të reja. Suedia renditet e para për shtimin e rasteve ditore me 604.53 raste për milionë banorë.

SHBA-ja vijon me 203.71 raste të reja ditore.

Pas saj, renditen Emiratet e Bashkuara me 193.65 raste të reja për milionë banorë gjatë shtatë ditëve të fundit.

Duke parë këto shifra, të gjitha vendet, me përjashtim të Izraelit dhe Mbretërisë së Bashkuar, Shqipëria rastet ditore i ka më të pakta se vendet e Bashkimit Evropian në total, SHBA-ja dhe Emiratet.

Po ashtu, Greqia vendosi kusht se të gjithë turistët që do të kalojnë kufirin grek duhet të jenë të vaksinuar ose të rezultojnë negativ brenda 72 orësh.

Ndërkohë Shqipëria deri më tani ka vaksinuar 332 mijë e 905 qytetarë. Në krahasim me vendet e rajonit ka ecur me ritme më të shpejta për sa i përket fushatës së vaksinimit masiv.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore