Lajme

Kosovë: “Tensione” në Komisionin për Shëndetësi


Mbledhja e komisionit për Shëndetësi

Kryetarja e komisionit për Shëndetësi, Fatmire Mulhaxha- Kollçaku, në mbledhjen e mbajtur ka njoftuar se ligji për shëndet mendor dhe ligji anti-COVID janë duke u monitoruar dhe kanë mbetur edhe dy vizita në terren.

Mirëpo, kërkesa e Kollçaku, drejtuar institucioneve shëndetësore që të mos përgjigjen në pyetjet e deputetit të PDK-së Bekim Haxhiu, ka përplasur deputet me njëri-tjetrin.

Deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu, deklaroi se pas ndërhyrjes së kryetares sa komisionit do të tërhiqet nga grupi punues për monitorim të zbatimit të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

“Është ndërhyrje në punën e grupit punues, është minim i punës. Është absurde me iu dërgua e-mail institucioneve për të mos u përgjigjur pyetjeve të deputetëve. Po ju tregoj unë nuk mund të punoj në një grup punues derisa ju i dërgoni e-mail institucioneve që të mos përgjigjen. Unë nuk do të jem më pjesë e këtij grupi punues”, ka thënë Haxhiu.

Kryetarja e komisionit, Fatmire Kollçaku, duke iu përgjigjur deputetit Haxhiu tha se i njëjti ka keqpërdorur në emër të grupit punues.

“E keni keqpërdor në emër të grupit punues, keni dërguar e-mail, keni dalë jashtë fushës së studimit. Ju punoni krye në veti, nuk e respektoni komisionin”, ka thënë ajo.

Sërish ka reaguar deputeti Bekim Haxhiu, i cili ka thënë se nuk po e kupton pse po brengosen për raportet që kanë kërkuar.

“Pse po brengoseni nëse kemi kërkuar raport ditor, pse po brengoseni nuk po ju kuptoj”, ka thënë ai

Ndërkaq, kryesuesi i grupit për monitorimin e Ligjit të shëndetit mendor, Burim Karameta ka treguar se kanë zhvilluar një mori takimesh dhe se rezultatet përfundimtare nga monitorimi i këtij ligji do të plasohen në vjeshtë.

“Gjatë diskutimeve kemi vlerësuar se edhe dy ose tri takime të mbetura t’i s’postojmë për sezonin e vjeshtës pasi personat kompetent të këtyre institucioneve janë në pushime dhe nuk mundemi me sjellë raport përfundimtar. Shumë shpejt do të bëjmë raportin përfundimtar dhe do të dalim me format të rekomandimeve tona”, ka thënë Karameta.

Më 21 korrik Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Mulhaxha- Kollçaku, në debatin e organizuar nga Forumi për Transparencë Parlamentare, me temën “Pandemia COVID-19: Procesi i vaksinimit në Kosovë” tha se është e sigurt që deri në fund të vitit do të realizohet vaksinimi i 60 për qind të qytetarëve të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore