Lajme

Plani ambicioz i Qeverisë së Kosovës për vaksinim


Kryetarja e Komisionit për  Shëndetësi, Fatmire Mulhaxha- Kollçaku

Kryetarja e Komisionit për  Shëndetësi, Fatmire Mulhaxha- Kollçaku, në debatin e organizuar nga Forumi për Transparencë Parlamentare, me temën “Pandemia COVID-19: Procesi i vaksinimit në Kosovë” tha se është e sigurt që deri në fund të vitit do të realizohet vaksinimi i 60 për qind të qytetarëve të Kosovës.

“Ajo çfarë është e sigurt është që synimi që është përcaktuar nga Qeveria e Kosovës që 60 për qind e popullatës të vaksinohet deri në fund të vitit, do të realizohet”, tha Mulhaxha- Kollçaku.

Sipas saj, “vaksinimi nuk është i detyrueshëm, por siç tha ajo duhet të punohet shumë në edukimin e qytetarëve për rëndësinë e vaksinimit”.

Mirëpo, shtoi se duhet të ketë angazhim nga institucionet shëndetësore më shumë.

“Duhet të punojmë shumë në edukimin e qytetarëve, ku mediat luajnë rol të rëndësishëm për rëndësinë e vaksinimit dhe t’i ftojmë qytetarët të vaksinohen”.

Ndërkaq, përkundër se Kosova ka numrin më të vogël të të vaksinuarve për frymë në rajon, tha se “Kosova radhitet në mesin e vendeve që me sukses e kanë menaxhuar pandeminë”.

“Me përgjegjësi të plotë them se aktualisht kemi një situatë të qetë, por duhet të jemi në gatishmëri që t’i përgjigjemi çfarëdo situate me ndonjë variant tjetër, e përgjigja më e mirë ndaj çdo varianti është vaksinimi”, tha Kollçaku-Mulhaxha.

Në anën tjetër, Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu tha se Qeveria e Kosovës ka dështuar në sigurim të vaksinave dhe dështim në administrim të procesit.

Haxhiu pohoi se Kosova është vendi i fundit në Evropë që ka siguruar një kontratë për furnizim të vaksinave.

“Dështim në sigurim të vaksinave dhe në administrim të procesit të vaksinim. Kontrata për furnizim me vaksina po vazhdon të mbahet sekrete”, tha ai.

Sipas tij, kontingjenti, donacion nga Norvegjia është në kundërshtim me  Ligjin për pajisje dhe produkte medicinale, që siç tha ai saktëson se nëse një produkt importohet në Kosovë dhe ka afatin e skadimit më pak se një vit atëherë në momentin e importit duhet të ketë 2/3 të kohës së skadimit.

Gjithashtu Haxhiu deklaroi se “ka mospërputhje të  dhënave për vaksinim ditor, të dozave të para dhe të dyta, si dhe të numrit total”.

Kurse, të martën salla “1 tetori” në Prishtinë, ku po bëhet vaksinimi i qytetarëve të Kosovës kundër COVID-19, qëndroi e mbyllur për shkak të festës së Kurban Bajramit.

Sipas Ministria e Shëndetësisë, “qytetarët që kanë pasur terminë për vaksinim këtë të martë mund të imunizohen të mërkurën”.

Por, ekipet e vaksinimit përveç festave po pushojnë edhe gjatë ditëve të vikendit edhe pse Qeveria e Kosovës, pati njoftuar më 15 qershor se do të fillojë vaksinimi masiv.

Ndërkaq që prej fillimit të procesit të vaksinimit në Kosovë, numri i personave të vaksinuar me të dyja dozat e vaksinave është 67 mijë e 578, ndërsa shifra totale e vaksinave të administruara është 260 mijë e 955.

Në 24 orët e fundit, 6 mijë e 361 persona janë vaksinuar kundër Coronavirsuit.

Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 107 mijë e 859 pacientë me këtë virus. Prej tyre 2,264 kanë vdekur.

Më 29 qershor, Kosova regjistroi dy raste me variantin Delta të Coronavirusit, variant ky që po përhapet me shpejtësi në mbarë botën. Rezultatet e testeve për këtë variant ishin bërë në Berlin.

Për dallim nga Kosova, shtetet fqinje, siç janë Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina vazhdimisht përcjellin përhapjen e variantit Delta.

Varianti Delta, që fillimisht është identifikuar në tetorin e vitit të kaluar në Indi, ka shkallë më të lartë të infektimit për 50-60 për qind më e lartë se variantet tjera, duke prekur edhe moshat më të reja.

 

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore