Përballje

Kosovë: Të enjten zhvillohet finalja e madhe në basketbollin e femrave


Të enjten me fillim nga ora 19:00 do të zhvillohet finalja e pestë e Play-offi-t në EBC Ligën e Femrave në basketboll ndërmjet Bashkimit dhe Penzas.

Seria e ndeshjeve finale është e barabartë në 2:2, andaj skuadra e cila fiton këtë ndeshje në palestrën “Sezai Surroi”, do të shpallet kampion i Kosovës për edicionin 2020/21 në EBC Ligën e femrave në basketboll.

Takimin e parë e fitoi Penza në Prizren me rezultat 63:84, kurse sfidën e dytë në Pejë e fituan vashat nga Prizreni me shifrat 65:70.

Në takimin e tretë skuadra prizrenase fitoi sërish me rezultat 74:63, duke kaluar në epërsi 2:1, ndërsa ndeshjen e katërt e fitoi skuadra pejane me shifrat 72:58, duke bërë që fituesi dhe kampioni të shpallet të enjten në Prizren.

Në gjysmëfinale Bashkimi mundi Vëllaznimin dy herë, kurse Penza eliminoi Prishtinën në dy ndeshje.

Bashkimi përfundoi garat e rregullta në vendin e parë me 18 fitore dhe dy humbje, ndërsa Penza në vendin e tretë me 17 fitore dhe shtatë humbje.

Në garat e rregullta këto dy skuadra u ndeshen katër herë, ku tri herë fitoi Bashkimi dhe një herë Penza.

Ndërsa, në basketbollin e pasluftës në Kosovë, Bashkimi e ka fituar gjashtë herë titullin kampion, kurse Penza e ka fituar tri herë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore