Lajme

Kosovë: Sot pritet vazhdimi i seancës për zgjedhjen e presidentit/es


Seanca e jashtëzakonshme e kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, është shtyrë për të dielën për shkak të mungesës së kuorumit.

“Seanca do t’i vazhdojë punimet më katër prill në orën 17:00”, ka thënë kryetari i kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Sipas procedurës, për mundësimin e zgjedhjes së presidentit/es në Kosovë, duhet fillimisht të marrin pjesë në votim së paku 80 deputetë në mënyrë që të arrihet kuorumi.

Ndërsa për t’u zgjedhur presidenti/ja – në raundin e parë dhe të dytë – duhen 80 vota. Nëse nuk arrihet kjo shifër, kalohet në raundin e tretë, ku presidenti/ja zgjedhet me shumicë të thjesht prej 61 votash.

Raundi i parë i votimit u përsërit dy herë, pasi në votim nuk morën pjesë 80 deputetë apo dy e treta e deputetëve.

Në këto dy votime morën pjesë 78, përkatësisht 79 deputetë.

Sqarim: Derisa nuk numërohen 80 vota në kuti të votimit, raundi i parë nuk konsumohet dot. Kështu që votimi mund të vazhdojë duke u përsëritur vazhdimisht, deri në kohën kur i përfundon mandati presidentit, ose u.d të presidentit, dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Sqarimin për Albanian Post e ka dhënë ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

Në garën për president, Lëvizja Vetëvendosje ka nominuar Vjosa Osmanin, ndërsa kundërkandidati i saj është Nasuf Bejta.

Në zgjedhjet e fundit, Vjosa Osmani iu bashkua listës së Lëvizjes Vetëvendosje dhe mori vota më shumë se kushdo tjetër para saj në historinë e shkurtër të zgjedhjeve në Kosovë.

Nga ajo listë dhe me përkrahjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilën e braktisi, tash kërkon të bëhet presidente.

Por, a do të bëhet?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore