Lajme

S’ka presidente Vjosa Osmani – shtyhet seanca në kërkim të kuorumit


Ilustrim: Albin Kurti, Vjosa Osmani, Lumri Abdixhiku

Pas dy tentimeve të dështuara për t’u arritur kuorumi i nevojshëm prej 80 votave, Kuvendi i Kosovës ka vendosur ta shtyjë seancën për zgjedhjen e presidentit/es për nesër, e diel, në orën 17:00.

Sipas procedurës, për mundësimin e zgjedhjes së presidentit/es në Kosovë, duhet fillimisht të marrin pjesë në votim së paku 80 deputetë në mënyrë që të arrihet kuorumi.

Ndërsa për t’u zgjedhur presidenti/ja – në raundin e parë dhe të dytë – duhen 80 vota. Nëse nuk arrihet kjo shifër, kalohet në raundin e tretë, ku presidenti/ja zgjedhet me shumicë të thjesht prej 61 votash.

Në seancën e sotme në votimin e raundit të parë morën pjesë në votim 78 deputetë, paçka se në sallë gjendeshin 82.

Meqë nuk u kap shifra e kërkuar, votimi u përsërit. Në përsëritje votuan 79 deputetë, prapë numër i pamjaftueshëm.

Siç e ka sqaruar për Albanian Post, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, votimi, në kërkim të kuorumit, mund të përsëritet pafundësisht, deri me pesë maj, kur skadon mandati i rregullt i presidentit.

Nëse deri atëherë nuk arrihet zgjedhja e të riut, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditësh.

Sigurimi i 80 deputetëve për momentin ngjason i vështirë. Edhe burime të Albanian Post, të afërta me partinë fituese të zgjedhjeve Lëvizjen Vetëvendosje, tregojnë se janë pesë deputetë që duhen tashmë.

Veç tre deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës: Agim Veliu, Avdullah Hoti dhe Driton Selmanaj, nuk kanë marrë pjesë në votim as Adem Hoxha nga komuniteti goran dhe Fadil Gashi nga komuniteti rom.

Nëse situata qëndron kështu, kjo nënkupton një krizë të re politike, e cila u mendua se do kalohej meqë Vetëvendosje bashkë me Vjosa Osmanin morën numër të madh të votave – mbi 50 për qind të votës popullore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore