Zgjedhjet në Kosovë

Kosovë: Rezultatet përfundimtare nga KQZ – Vetëvendosje e Vjosa Osmani thyejnë rekorde


Vjosa Osmani dhe Albin Kurti në hollin e Kuvendit të Kosovës, në ditën kur kishin nënshkruar marrëveshjen për të marrë pjesë bashkë në zgjedhje

Lëvizja Vetëvendosje edhe zyrtarisht është shpallur fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit në Kosovë.

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, ka bërë të ditura rezultatet përfundimtare dhe Vetëvendosje ka dalë më e votuara me 438 mijë e 334 vota apo 49.95 për qind të elektoratit që përkthehet në 58 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Ky është edhe rekord i votave dhe përqindjes së fituar në zgjedhje nga një parti, prejse organizohen zgjedhje pasluftës në Kosovë.

E dyta, larg të parës, ka dalë Partia Demokratike e Kosovës me 148 mijë e 296 vota apo 16.9 për qind dhe ka siguruar 19 ulëse.

Rënien më të madhe e ka pasur Lidhja Demokratike e Kosovës, që ka stagnuar në vetëm 110 mijë e 978 vota, apo 12.64 për qind dhe ka siguruar 15 ulëse.

Kurse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është partia tjetër shqiptare që ka kaluar pragun, duke fituar 62 mijë e 111 vota apo 7.78 për qind dhe ka siguruar tetë ulëse.

Lista Serbe ka siguruar 5.6 për qind të votave me 44 mijë e 404 sosh dhe ka përvetësuar 10 ulëset e rezervuara për komunitetin serb.

Nisma Socialdemokrate, që nuk mori më shumë se 21 mije e 998 vota, mbeti nën prag me 2.5 për qind.

Sa u përket votave individuale është shënuar rekord po ashtu.

Vjosa Osmani nga Iniciativa “Guxo”, që ka garuar në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, ka arritur shifrën e 300 mijë e 788 votave.

Sipas statistikave të përgjithshme të KQZ-së përqindja e daljes në zgjedhje ka qenë 48.78 për qind, ndërsa 877 mijë e 503 fletëvotime janë shpallur të vlefshme kurse të pavlefshme 21 mijë e 532 fletëvotime.

Pas shpalljes së rezultateve subjektet politike dhe kandidatët kanë kohë 24 orë për t’i paraqitur ankesat e tyre në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

“Ky institucion ka kohë më së shumti deri në tre ditë për të vendosur lidhur me ankesat e paraqitura dhe nëse palët janë të pa kënaqura me vendimin e PZAP-it atëherë të njëjtat mund t’i drejtohen brenda 24 orëve, Gjykatës Supreme e cila po ashtu ka tre ditë kohë për të vendosur lidhur me ankesat në fjalë”, ka thënë Elezi.

KQZ duhet të presë deri vendimmarrjen e këtyre institucioneve, “të veprojë në përputhje me ato vendime dhe pasi të përmbyllen të gjitha çështjet që dalin nga procesi, KQZ mund të certifikojë rezultatin përfundimtare dhe të përmbyll procesin zgjedhor”, ka thënë ai.

Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve KQZ-ja do ta njoftojë në këtë rast “ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmanin, lidhur me rezultatet e certifikuara të procesit zgjedhor”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore