Lajme

Kosovë: QKUK furnizohet me ilaçin esencial për kancer


Bari “Herceptin”

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi për Albanian Post ka konfirmuar se barnatorja e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës është furnizuar të enjten me ilaçin Herceptin, ilaç ky i cili mungonte prej tre javësh dhe përdoret për personat të cilët janë të sëmurë me kancer.

“Po, ilaçi Herceptin ka ardhur në Barnatoren e Qendrës Klinike Universitare”, ka thënë Kurtishi.

Kurtishi, tutje deklaroi se ka furnizim të mjaftueshëm për disa muaj me këtë ilaç.

“Deri në fund të vitit edhe në tre mujorin e parë të vitit tjetër, po besoj që do të ketë mjaftueshëm”.

Edhe pse të martën ishte thënë se ky ilaç do të arrinte në Kosovë, kjo nuk ndodhi deri të enjten.

Ndërkaq, një ampulë i kësaj barne esenciale nëpër barnatore çmimi është hiq më pak se 1 mijë e 450 euro.

E njëjta dozë është edhe në listën e barnave esenciale që duhet të jepet në Barnatoren Qendrore.

Herceptin apo qysh njihet ndryshe Trastuzumab është një ilaç për kancer që përdoret në fazat e hershme edhe më të vona të kancerit të gjirit. Po ashtu, kjo barnë përdoret edhe për trajtimin e kancerit të stomakut.

70 për qind e rasteve të vdekjes nga kanceri ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta.

Në Kosovë nga numri i përgjithshëm i të prekurve me kancer, te gratë prin kanceri i gjirit, derisa te meshkujt ai i mushkërive. Ndërsa mosha mesatare e të prekurve, është rreth të 50-tave.

Rreth 10 milionë persona brenda një viti vdesin në botë nga kanceri, duke e bërë atë si shkakun e dytë më të shpeshtë të vdekjeve në mbarë botën.

Nga hulumtimet dhe të dhënat botërore që i ka prezantuar Bordi Nacional i Kancerit në Kosovë, thuhet se; brenda vitit në botë janë 14 milionë raste të reja me kancer, derisa parashihet që deri në vitin 2030, numri i rasteve me kancer të arrijë shifrën prej 21.7 milionë në vit.

Po ashtu, në Kosovë, para dy muaj ka pasur mungesë të insulinës, në Barnatoren Qendrore të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ku për këtë  janë detyruar të shkojnë jashtë vendi për tu furnizuar me to.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore