Lajme

Kosovë: Për afër një muaj u regjistruan 115 pacientë me kancer


Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi.

Gjatë ditës afro 400 persona marrin trajtim në Klinikën e Onkologjisë, të moshës mesatare mbi 50 deri në 60 vjeç.

Kështu ka bërë të ditur drejtori i kësaj klinike, Ilir Kurtishi, i cili ka theksuar se brenda këtij viti janë diagnostikuar rreth 115 pacientë të rinj, numri më i madh prej tyre janë gra, duke dominuar kanceri i gjirit.

“Varësisht prej ditëve kur janë më të ngarkuara edhe këtë vit po vazhdon trendi i sëmundjeve malinje nga viti 2021. Ne brenda 24-25 ditëve të para të këtij viti kemi regjistruar gati 115 persona të diagnostikuar me kancer ku shumica nga ta te femrat dominon kanceri i gjirit”, deklaroi Kurtishi për Ekonomia Online.

Ai sqaroi se tek meshkujt dominojnë më shumë kancerët e llojeve të tjera.

“Ndërsa te meshkujt ka dominim të kancerit të mushkërive, menjëherë pas tij vjen kanceri i zorrës së trashë. Kurse te femrat pas kancerit të gjirit janë kancerët e organonëve gjenitale, këto janë sëmundje që vazhdojnë të jenë në trend dhe në rritje nga viti në vit”, ka thënë Kurtishi.

Klinika e Onkologjisë.

Trajtimet të cilat kryhen në këtë klinikë janë me dy forma të shërbimeve, ndërkaq nga viti 2021 ka filluar edhe një terapi e veçantë.

“Nga viti i kaluar ne kemi filluar një rrezatim të veçantë që quhet ‘BRAJD’ terapi ku kanë qenë viteve paraprake kërkesat më të mëdha për dërgim të pacientëve jashtë vendit”.

“Vitin 2021 gati nuk kemi dërguar, kemi pas dy-tri raste të pacientëve të cilët kanë pasur nevojë për një rrezatim të veçantë i cili nuk kryhet as në rajon po këto janë raste minimale, të cilat është dashur ti rekomandojmë një formë të veçantë të rrezatimit. Përndryshe gati 1 mijë persona të cilët kanë pasur nevojë të kryejnë rrezatim e kanë kry rrezatimin në klinikën tonë”, ka thënë Kurtishi.

Kurtishi shtoi se ka pasur sfida shumë të mëdha në kohën e pandemisë, e që po vazhdojnë të jenë akoma prezentë në klinikën e Onkologjisë.

“Janë bërë kampanja të ndryshme gjatë muajit tetor kur është fushata për ndërgjegjësim për kancerin e gjirit, mirëpo kjo nuk duhet të jetë veç ai muaj sepse kancer kemi çdo ditë, çdo javë. Normalisht një efekt të madh kanë pasur edhe mediat të cilat i kanë informuar qytetarët e Kosovës që të lajmërohen te mjeku më herët”.

Ai ka apeluar tek të gjitha moshat që të ketë kujdes në zbulimin sa më të hershëm të çfarëdo lloj kanceri.

“Por jo vetëm kanceri i gjirit por edhe sëmundjet e tjera të cilat mund të detektohen më herët, si kanceri i qafës së mitrës, mitrës apo kanceri i zorrës së trashë kur metoda të skanimit, me metoda rutinore ne mund ti zbulojmë këto sëmundje shumë herët. Kjo përkthehet në shëndet të popullatës dhe një kosto shumë të vogël pastaj për shtetin tonë për trajtimin e këtyre sëmundjeve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore