Lajme

Kosovë: Nëntori muaji fatal i aksidenteve në komunikacion


Prishtinë/Ilustrim.

Vetëm gjatë muajit nëntor të vitit 2021, pesë persona kanë vdekur nga aksidentet në komunikacion.

Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës, e cila ka apeluar që shoferët të tregohen të vëmendshëm në trafik për të shmangur situatat.

“Bazuar në statistikat e aksidenteve fatale të muajit nëntor 2021, është një situatë shqetësuese me një numër prej 5 personave të vdekur, 1 shofer, 2 biçiklist dhe 2 këmbësor që kanë humbur jetën në aksidente fatale”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Edhe Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, ka apeluar tek shoferët e të gjitha kategorive të automjeteve që të respektojnë rregullat e komunikacionit rrugor.

Policia Rajonale e Ferizajit ka thënë se ka shtuar prezencën policore në të gjitha rrugët magjistrale, rajonale, urbane dhe rurale në të gjithë rajonin e Ferizajit.

Apeli i Policisë së Kosovës.

“Përfshirë komunat: Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Hani Elezit, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore”.

Tutje në komunikatën e policisë thuhet se patrullat janë në gatishmëri për të ndihmuar shoferët gjatë qarkullimit.

“Patrullat e Policisë Rajonale janë të fokusuara, së pari në dhënien ndihmë shoferëve të automjeteve që kanë nevojë gjatë qarkullimit, këshillimin e shoferëve të automjeteve për të zbatuar ligjet dhe rregullat e komunikacionit rrugor, por edhe në ndëshkimin e atyre që nuk i zbatojnë ato rregulla”.

Ndërsa, ka bërë thirrje për kujdes më të shtuar tek të gjithë shoferët.

“Policia apelon tek drejtuesit apo shoferët e automjeteve që të kenë pajisjet dimërore në automjetet e tyre, të kenë vendosur gomat e dimrit dhe të jenë të kujdesshëm në komunikacionin rrugor, me theks të veçantë që shoferët : – Të mbajnë distancën e duhur mes automjeteve, të përshtatin shpejtësinë e lëvizjes së automjetit, në raport me kushtet e rrugës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore