Zgjedhjet në Kosovë

Kosovë: Në pritje të rezultateve për kuvende komunale nga KQZ


Kuvendi Komunal i Prishtinës

Për një mijë e dy ulëse në Kuvende Komunale, në nivel vendi, garës ia mësynë më shumë se pesë mijë kandidatë.

Në zgjedhjet e 17 tetorit gara ishte më e ngushtë, në mes të kandidatëve, pasi që qytetarët kishin të drejtë të përzgjidhnin vetëm një kandidat në fletëvotimin për kuvendet Komunale, për dallim nga herët e kaluara ku mundësia e përzgjedhjes ishte deri në pesë kandidat.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se tashmë ka përfunduar numërimi i rreth 300 vendvotimeve për 38 komuna.

“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka përfunduar procesi i rinumërimit i rreth 300 vendvotimeve të cilat u takojnë zgjedhjeve lokale për Kuvendet Komunale”.

“Pas përfundimit të procedurave të parapara në këtë qendër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mundet të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 17 tetorit kuvendet komunale”, ka shtuar Elezi.

“Planifikojmë që shpallja e këtyre rezultateve të bëhet në mbledhjen e KQZ-së, e cila do të mbahet ditën e mërkurë më datën 3 nëntor”.

Me shpalljen e rezultateve përfundimtare nuk përmbyllet ky proces, tregon zëdhënësi i KQZ-së, pasi që subjektet politike dhe kandidatët kanë mundësinë të parashtrojnë ankesat e tyre në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme.

“Pas shpalljes së këtyre rezultateve, palët në këtë rast subjektet politike dhe kandidatët mund të paraqesin ankesat e tyre, fillimisht në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe në rast se janë të pakënaqur me vendimin e këtij institucioni të njëjtat mund t’i drejtohen edhe Gjykatës Supreme”.

“Si çdo herë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të veprojë në përputhje me vendimet e këtyre institucioneve t’i zbatojë ato dhe pastaj të procedojë për certifikimin e këtyre rezultateve”, ka shtuar Elezi.

Qendra e Numërimit dhe Rezultateve në Kosovë

Për zgjedhjet parlamentare të 17 tetorit, KQZ certifikoi 48 subjekteve politike (18 parti politike; 1 koalicion; 17 iniciativa qytetare; 12 kandidatë të pavarur) dhe 552 kandidatë. Numri i kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet për Kryetar Komune është 26, ndërsa numri i kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet për Kuvende Komunale është 526 kandidatë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore