Lajme

Kosovë: Miratohet projektligji për mbrojtjen e ajrit nga ndotja


Kuvendi i Kosovës miraton projektligjin për mbrojtjen e ajrit nga ndotja

Me 74 vota për asnjë kundër dhe asnjë abstenim deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në lexim të parë Projektligjin për mbrojtjen nga ndotja.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinorë dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, gjatë mbajtjes së seancës së Kuvendit të Kosovës, ka arsyetuar para deputetëve rëndësinë e këtij projektligji.

“Për mbeturina nga industritë e nxjerrjeve të mineraleve të rregullojë mënyrën e funksionimit dhe përcaktimit të masave të procedurave dhe udhëzimeve për të parandaluar apo për të zvogëluar efektet negative në mjedis si në ujë, ajër, tokë, që të evitohet çdo rrezik që kërcënon shëndetin e njeriut dhe mjedisit si rezultat i menaxhimit të mbeturinave nga industritë e nxjerrjes në Republikën e Kosovës”, ka thënë Aliu.

Po ashtu, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka treguar se cilat masa përcaktohen nga ky projektligj.

“Ky ligj ka për qëllim të i përcakton masat dhe procedurat dhe udhëzimet për të parandaluar ose zvogëluar sa më shumë që të jetë e mundur efektet negative në mjedis veçanërisht në ujë, ajër, tokë, florë, faunë dhe pejzash, dhe çdo rrezik që rezulton për shëndetin e njeriut nga si rezultat i menaxhimeve të mbeturinave nga industritë nxjerrëse”, u shpreh Pacolli.

Edhe deputeti i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Ferat Shala, e ka përkrahur këtë nismë ligjore.

“Në emër të Grupit Parlamentar mbështesim nismën ligjore për plotësim-ndryshimin, apo ligjin për mbrojtjen e ndotjes së ajrit. Në proces e sipër do të japim rekomandimet e nevojshme, veçanërisht tek pjesa e përmirësimit të cilësisë”, deklaroi Shala.

Ndërkaq, Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë se e përkrahin projekt ligjin në shqyrtimin e parë për mbrojtjen e ajrit nga ndotja.

“AAK e përkrah projektligj në shqyrtimi e parë për mbrojtjen e ajrit nga ndotja dhe kontributin tonë do ta japin mes dy leximeve”, tha Lekaj.

Ky ligj harmonizon zhvillimin ekonomik dhe mirëqenie sociale me parimet themelore për mbrojtjen e mjedisit sipas konceptit të zhvillimit të qëndrueshëm. Qëllimi i këtij ligji është të promovojë krijimin e mjedisit të shëndetshëm për popullin e Kosovës me sjelljen graduale të standardeve për mjedis të Bashkimit Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore