Lajme

Kosovë: Mbi 14 mijë aksidente trafiku për tetë muaj


Policia e Kosovës.

Në Kosovë në tetë muajt e parë të vitit 2021 në Kosovë kanë ndodhur 14 mijë e 147 aksidente trafiku, me mbi 5 mijë persona të lënduar dhe me mbi 9 mijë dëme material.

Këtë e ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes disa statistikave dërguar Albanian Post.

Ndërsa nga janari e deri në gusht kanë ndodhur 68 aksidente fatale, ku kanë humbur jetën 79 persona.

Të dhënat e Policisë së Kosovës dërguar Albanian Post.

Në përgjigje thuhet se policia e Kosovës është duke vazhduar me aktivitete të shtuara me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe ngritjes së sigurisë në trafik.

“Policia e Kosovës bazuar në detyrat dhe autorizimet e saj ligjore dhe kushtetuese është e përkushtuar në mbajtjen e rendit, garantimin e sigurisë publike si dhe menaxhimin dhe kontrollin e trafikut rrugor nëpër të gjitha rrugët e vendit”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Por, përveç kësaj prioritet i policisë vazhdon të jetë edhe ofrimi i sigurisë rrugore për pjesëmarrësit në trafik dhe parandalimi i aksidenteve.

“Një prej objektivave parësore për Policinë e Kosovës është edhe ofrimin i sigurisë rrugore për pjesëmarrësit në trafik dhe parandalimi i aksidenteve, andaj sipas planifikimeve operacionale, parashihen aktivitete të shtuara me qëllim që të parandalohen aksidentet dhe të rritet siguria në trafik”.

Nga janari deri në gusht, Policia ka dënuar edhe 313 mijë e 384 shoferë për shkak se nuk kanë respektuar rregullat e komunikacionit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore