Lajme

Kosovë: Gjashtë raste të dhunës në familje


Ilustrim: dhuna ne familje

Gjashtë raste të dhunës në familje janë paraqitur në polici gjatë ditës së premte, sipas raportit të Policisë së Kosovës, për 24 orët e fundit.

Në raportin e përditësuar të këtij institucioni tre raste kanë ndodhur në kryeqytet.

Një grua është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj, viktima ka pranuar tretman mjekësor, kurse i dyshuari gjendet në arrati.

E dyta nga kryeqyteti, po ashtu është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti, i cili tashmë është arrestuar. Me vendim të prokurorit, i dyshuari  “është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

Ndërkaq një burrë, ka deklaruar se është sulmuar fizikisht nga djali i tij, pas një mosmarrëveshjeje. Sipas policisë i dyshuari gjendet në arrati.

Në qytetin e Fushë Kosovës, gjatë ditës së premte është paraqitur në polici, rasti i gruas e cila ka deklaruar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Kurse në Rahovec, viktima grua ka njoftuar policinë se është kanosur dhe fyer vazhdimisht nga kunata e saj, e cila vuan nga problemet psikike.

E dyshuara në bashkëpunim me Qendrën për Punë Sociale është dërguar për tretman mjekësor në repartin e psikiatrisë, njofton policia.

Në qytetin e Gjakovës, një grua ka deklaruar se është sulmuar fizikisht nga vëllai i saj, i cili vuan nga depresioni.

“Viktima femër kosovare ka njoftuar se është sulmuar fizikisht nga vëllai i saj i dyshuari kosovare i cili është në terapi për depresion”, thuhet në raportin e policisë.

Viktima është dërguar për trajtim mjekësor ndërsa, i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore