Kosova

Kosovë: “Edhe sa gra të vrara”, marshi i grave për 8 mars


“Vrasja e grave është urgjencë kombëtare”, është një nga shkrimet në pankartat të cilat po mbanin në duar gratë të cilat protestuan të martën e tetë marsit në oborrin e Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë.

Me moton “Marshojmë s’festojmë”, gra të mbledhura në kolektiv, kanë filluar marshin protestues nga hapësirat e institucioneve të drejtësisë, për të vazhduar më pas në sheshin “Zahir Pajazit” në Prishtinë dhe në fund marshi mbyllet para Qeverisë së Kosovës.

“Edhe sa thirrje të humbura”, “poshtë gjykata patriarkale”, “poshtë prokuroria patriarkale”, “poshtë policia patriarkale”, “prokuroria i ka duart me gjak”, “gjykata i ka duart me gjak”, “policia i ka duart me gjak”, “burri dhunon gjykata arsyeton”, “liri, pavarësi, solidaritet”, “vrasjet e grave po ju dalin recidivistë”, janë disa nga thirrjet të cilat gratë i bënë para Gjykatave dhe Prokurorive në Prishtinë.

Marshi përveç në Prishtinë, do të mbahet edhe në Obiliq, Mitrovicë, Pejë, Rahovec dhe Gjilan.

Në largim e sipër nga këto hapësira, gratë ngjyrosën tokën me ngjyrë të kuqe.

Më pas disa nga gratë pjesë e marshit, shkruan mbishkrime “edhe sa gra të vrara”, në xhamat e dyerve të këtyre institucioneve të drejtësisë.

Nga viti 2010, 48 gra janë vrarë nga burrat e tyre në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore