Lajme

Kosovë, 56 për qind e bizneseve kishin ndaluar plotësisht punën gjatë pandemisë


Ilustrim nga gastronomia gjatë pandemisë

Gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, më shumë se gjysma e bizneseve në Kosovë kishin ndaluar plotësisht aktivitetet e tyre.

Mbi 40 për qind e tyre kanë pasur ndikim financiar negativ, sipas raportit  “Vlerësimi i Tretë i Ndikimit Socio-Ekonomik”, prezantuar nga UNDP, UN Women dhe UNFPA. Këto organizata punojnë në rreth 170 vende të botës, me synim zhdukjen e varfërisë.

“Bizneset e Kosovës janë prekur negativisht nga pandemia, me ndikim të rëndësishëm në punën e tyre të përditshme. Pas masave kufizuese, 56 për qind e bizneseve kishin ndaluar aktivitetet e tyre plotësisht në maj 2020 përderisa në mars 2021, vetëm 13 për qind e bizneseve raportuan se kishin ndaluar plotësisht aktivitetet e tyre”.

“41 për qind e bizneseve deklaruan që ndikimi financiar i pandemisë ishte shumë negativ”, thuhet në raport.

Për sa u përket humbjeve të vendeve të punës, në këtë vlerësim tregohet se niveli i papunësisë vazhdon të jetë i njëjtë në atë të nëntorit të 2020-ës, kur 11 për qind e të anketuarve nga UNDP, UN Women dhe UNFPA raportuan se kishin humbur vendet e tyre të punës.

“Humbjet e vendeve të punës janë akoma në të njëjtin nivel me nëntorin e vitit 2020, kur 11 për qind e të anketuarve raportuan se kishin humbur vendet e tyre të punës, krahasuar me 8 për qind në maj të vitit 2020”.

Kurse, “shumica e atyre që kishin humbur punën ende nuk morën mbështetje financiare ose përfitime të papunësisë nga institucionet ose komunat”, tregohet në vlerësim.

Më tej, UNDP shpjegon se gratë e kanë pasur më vështirë ta përballojnë situatën e pandemisë.

“Shumë më pak biznese në pronësi të grave kanë deklaruar se biznesi i tyre mund të përballojë situatën aktuale të pandemisë për më shumë se gjashtë muaj, me 21 për qind, krahasuar me bizneset në pronësi të burrave me 32 për qind”, shpjegon UNDP.

Në fund, raporti tregon se kundërshtimi ndaj masave kufizuese është rritur gradualisht.

“Kundërshtimi ndaj masave kufizuese është rritur gjithashtu gradualisht që nga maji i vitit 2020, kur 22 për qind kundërshtuan deri diku. Në nëntor 2020, 58 për qind e bizneseve kundërshtuan kufizimet deri në një masë dhe në mars 2021 ishte 61 për qind”, përfundon raporti.

Në regjistrat e Aleancës Kosovare të Biznesit në Kosovë rezulton se janë mbyllur rreth 2000 biznese.

Edhe, kryetari i ARBK-së Agim Shahini për Albanian Post, kishte thënë se, “numri i bizneseve të mbyllura është më i madh, “por që personat nuk kanë përfunduar procedurat ligjore për shuarje”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore