Lajme

Kosova në fillim të valës së re të infektimeve me COVID-19


Klinika Infektive në QKUK

Mundësia që Kosova të kaloj edhe një valë të infektimeve nga virusi COVID19 është e pashmangshme.

Përveç pamundësisë në shmangje, tanimë jemi në fillim të zhvillimit të kësaj vale, thonë ekspertët e shëndetësisë në Kosovë.

Driton Vela, njohës i ekspertizave shëndetësore, bën të ditur se fillimi i ballafaqimit me këtë valë të re të infektimeve, këtë vit, ka nisur me rritjen e numrit të rasteve të të infektuarve.

“Kjo do të thotë që jemi në fillimet e valës së radhës, janë javët e para, në bazë të të dhënave, e cila ka filluar në fund të dhjetorit, po duket që po i përngjan shumë variantit Delta, së paku sa i përket rritjes së numrit të rasteve aktive, por jo edhe për parametra tjerë të pandemisë”.

“Është shumë e ngjashme me atë se çka ka ndodhur gjatë valës së Deltës, fatmirësisht që gjatë javëve të para nuk po vërejmë rritje të hospitalizimeve dhe vetëm sot ishte një vdekje”, ka thënë Vela për Klan Kosova.

“Kemi edhe dëshmi shkencore, varianti Omicron përhapet më shpejt se variantet paraprake, duke përfshirë edhe variantin Delta, por e mira është se shkalla e rrezikut nga hospitalizimet nga ky variant është më e ulët”.

Tutje, Vela ka shtuar se kanë mbajtur takim me ministrin Rifat Latifi, ku i kanë diskutuar masat.

“Ky komision është këshillëdhënës, është i përbërë nga ekspertë në kuadër të pandemisë, është zyrtarizuar në fund të dhjetorit nga ministri Rifat Latifi, edhe pse është krijuar vonë ky komision”.

“Kemi mbajtur një takim, ku janë diskutuar disa opsione, nga ato më ekstreme deri te ato më të arsyeshme, të gjithë kanë dhënë rekomandimet e veta, ka disa propozime të tipit ndoshta të ashpërsimit të orës policore, por jo të jetë shumë e theksuar, kemi pasur edhe propozime edhe më të ashpra, por që nuk ka pasur konsensus”, ka përfunduar ai.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK), të mërkurën ka raportuar për një person të vdekur dhe 424 persona të infektuar nga COVID-19.

Numri i të infektuarve vjen nga gjashtë mijë e 360 mostra të marra nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar gjithsejtë 89 persona.

Raste aktive me COVID-19, janë gjithsejtë dy mijë e 417.

Brenda 24 orëve të fundit, në Kosovë janë vaksinuar me doza të vaksinës kundër Coronavirusit tre mijë e 189.

Ndërkaq, 885 mijë e 892 persona janë vaksinuar me dozën e parë, teksa numri i të vaksinuarve me të dy dozat ka arritur në 792 mijë e 605.

Të dhënat e ministrisë së Shëndetësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore