Lajme

Kosova merr pjesë në takimin e ministrave të NATO-s për mbrojtjen e Ukrainës


NATO.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka bërë të ditur se Kosova do të marrë pjesë në takimin mujor të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës (UDCG) të organizuar nga Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Lloyd J. Austin III.

Mehaj këtë ftesë krahas ministrave të shteteve të NATO-s e ka cilësuar si, “tregues të fuqishëm të besimit të ndërsjellë dhe partneritetit të fuqishëm të SHBA-së dhe aleatëve të saj me Kosovën”.

Ky takim do të mbahet në Bruksel.

“Sot së bashku me Gjeneral Jasharin, udhëtuam në Bruksel për të marrë pjesë në takimin mujor të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës (UDCG) të organizuar dhe kryesuar nga Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Lloyd J. Austin III”, ka shkruar ai.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj.

Mehaj, ka shtuar se takimi është organizuar për të mbështetur Ukrainën.

“Sekretari i Mbrojtjes të SHBA-së, Lloyd J. Austin III, e ka ftuar dhe organizuar takimin e radhës të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës për të koordinuar ndihmën për mbështetjen e Ukrainës për mbrojtje nga pushtimi i paprovokuar rus”.

Nga 24 shkurti, Ukraina ndodhet nën pushtimin e Rusisë . Aktualisht, luftimet janë të përqendruara në pjesën lindore të këtij vendi.

Vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë dënuar ashpër sulmin, duke e ndëshkuar Rusinë me sanksione të ashpra ekonomike dhe diplomatike. Ukrainën, ndërkaq, është duke e ndihmuar me armatim.

Presidenti i Ukrainës, Zelensky, ka mbajtur një fjalim para Kuvendit të Shqipërisë, më 3 maj. Duke folur përmes video-lidhjes, ai ka kërkuar nga ky vend që t’i mbyllë portet për anijet ruse dhe të kufizojë ardhjen e turistëve rusë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore