Lajme

“Kosova ka nevojë më shumë se kurrë që të armatoset”


Ish-Drejtori i Policisë së Kosovë, tani deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj

Një sistem i sofistikuar raketsh kundërajrore kineze ateroi në Beograd të dielën, në një operacion të mbështjellë me fshehtësi, ndërsa Perëndimi ka frikë se akumulimi i armëve në Ballkan gjatë luftës në Ukrainë mund të kërcënojë paqen e brishtë në rajon, raporton Associated Press.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj, është shprehur se ka një kohë të gjatë që Serbia është duke u furnizuar me lloje të ndryshme të armatimit dhe ky është sinjal i keq për regjionin.

“Ka një kohë të gjatë që Serbia po furnizohet me lloje të ndryshme të armatimit. Fillimisht është furnizuar me armatim nga shteti rus. Shpesh herë duke marrë falas këto pjesë të armatimit por edhe duke i blerë. Realisht kemi parë një dërgesë që ka ardhur gjysmë sekret nga Kina me sistem të mbrojtjes kundër ajrore. Mirëpo Serbia ka paralajmëruar edhe blerjen e aeroplanëve të ndryshëm edhe nga disa shtete si Franca dhe Britania”, ka thënë Qelaj për agjencinë e lajmeve Ekonomia Online.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj.

Sipas tij, armatosja e Serbisë nuk është sinjal i mirë për rajonin.

“Unë mendoj që armatosja e Serbisë është një sinjal mjaft i keq për regjionin. Këto nuk janë armë mbrojtje, por sulmi. Bashkësia ndërkombëtar nuk është duke reaguar fare në raport me Serbinë”.

“Unë mendoj që Kosova ka nevojë më shumë se kurrë që të pajiset me armatim modern. Me sisteme mbrojtje meqenëse ne kemi nevojë që Forca e Sigurisë së Kosovës të jetë sa më e armatosur dhe e përgatitur dhe duhet të kërkojmë ndihmë nga partner tanë strategjik për t’u armatosur Kosova”, tha Qalaj.

Edhe, deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha, theksoi se Kosova ka nevojë për armatim.

“Ka kohë që Serbia fuqizohet ushtarakisht. Kjo është pjesë e një plani të mëhershëm e ka vazhduar deri në ditët e sotme. Ne nuk kemi nevojë të frikësohemi, por duhet të armatosemi dhe nuk ka rrezik rajoni nga Serbia, por Kosova sepse dihet qysh e kemi pasur historinë”.

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha.

“Ne mbetet vetëm të armatosemi dhe me pas prioritet punës e veriut. KFOR-i është këtu, ne kemi ushtrinë e Kosovës, Policinë dhe të gjitha institucionet funksionojnë. Por kur armiku armatoset ajo i bie që duhet të armatosemi edhe ne”, tha Berisha.

Në dy vitet e fundit, Serbia është armatosur me kontingjente armatimesh të ndryshme nga Rusia e cila është konsideruar shqetësuese, jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin, vendet e të cilit ose janë pjesë e aleancës së NATO-s ose kanë prezencë të kësaj aleance.

Buxheti që ka ndarë Qeveria e Kosovës për FKS-në gjatë vitit 2022 kap vlerën mbi 100 milionë euro.

Në vitin 2021, Forcat e Sigurisë së Kosovës u patën pajisur me 24 mjete ushtarake të tipit “Humvee”, të cilat kishin ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Ndërsa në korrik të po këtij viti, Kosova nënshkroi kontratë me Turqinë për blerjen e 14 automjeteve ushtarake të blinduara me pajisje dhe armatim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore