Lajme

Kosova e izoluar, Tahiri: Ndëshkimi amerikan kushton – Osmani, Kurti dhe Gërvalla të ngujuar në shtëpi  


Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun teknik me Serbinë në Bruksel, Edita Tahiri, ka theksuar se forumet ndërkombëtare janë të vetmet formate ku liderët shtetërorë kosovarë mund të takojnë liderë evropianë e botërorë, kjo për shkak të sanksioneve të vendosura Kosovës pas mos-gatishmërisë së treguar për të de-përshkallëzuar situatën në Veri të Kosovës sipas kërkesave të komunitetit ndërkombëtar.

Përmes një postimi në rrjetin e saj social në Facebook, Tahiri duke komentuar vizitat e Osmanit, Kurtit e Gërvallës në forume të ndryshme ndërkombëtare ka shkruar se ndëshkimi amerikan në këtë rast për Kosovën po ka kosto.

“Ndëshkimi amerikan kushton, treshja e shtetit e ngujuar në shtëpi, tash vrap pas ftesave të takimeve rajonale, madje duke shkuar dy tre në te njëjtin takim, duke u lutur të hiqen sanksionet ndaj Kosovës. Rënie e shëmtuar e diplomacisë së Kosovës”, ka shkruar ajo në Facebook.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ishte në Alpbach të Austrisë në një forum, ndërsa kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministren e Jashtme, Donika Gërvalla, në një tjetër forum “strategjik” në Bled të Sllovenisë.

Para disa ditësh Kurti ishte në një darkë jo formale i ftuar në Athinë të Greqisë.

Këto kanë mbetur format e vetme ku liderët e Kosovës mund të takojnë liderë evropianë e botërorë.

Përveç brenda margjinave të takimeve të tilla, udhëheqësit e Kosovës nuk kanë pasur prej kohësh vizita apo pritje dhe takime bilaterale.

E gjitha, për shkak të masave shtrënguese që i janë vendosur Qeverisë së Kosovës nga Bashkimi Evropian për shkak se Kurti refuzoi të aplikonte hapat për de-eskalim në Veri të kërkuar nga unioni – tërheqjen e kryetarëve shqiptarë nga objektet komunale në katër komunat veriore, largimin e policisë nga objektet dhe zgjedhjet e reja e kthimin në dialog.

Më vonë kushtet u pranuan, por masat shtrëngues mbetën, meqë BE tani kërkon implementim të plotë të hapave de-eskalues në mënyrë që të tërhiqet nga masat e vëna.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore