Lajme

Kosova do të hartojë protokollin shtetëror për trajtimin e dhunimeve seksuale


Ilustrim.

Ministria e Drejtësisë, ka bërë të ditur se Kosova do të hartojë protokollin shtetëror për trajtimin e dhunimeve seksuale.

Kjo është bërë e ditur përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ nga ky dikaster.

“Kjo do të realizohet në përputhje me detyrimet dhe rolin e tyre, të përshkruar në legjislacionin në fuqi për trajtimin e rasteve të dhunës në marrëdhëniet familjare, përfshirë legjislacionin që fokusohet specifikisht tek dhuna seksuale edhe jashtë marrëdhënieve familjare, si dhe në të gjithë dokumentet e miratuara në funksion të zbatimit të këtij legjislacioni”, thuhet në njoftim.

Ministria e Drejtësisë.

Ndërkaq, theksohet se pjesë e rëndësishme e kuadrit ligjor në Kosovë janë edhe të gjitha dokumentet ndërkombëtarë të ratifikuar.

“Brenda bazës ligjore kemi parasysh ndër të tjera edhe Konventën e Kombeve të Bashkuara për Eliminimin e të Gjitha Formave të diskriminimit ndaj Grave (Konventa CEDAË) apo Konventën e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje (Konventa e Stambollit), të cilat theksojnë rëndësinë e trajtimit të të gjitha formave të dhunës ndaj grave”.

Tutje, ka sqaruar se qëllimi i këtij protokolli është të mbrojë të drejtat e viktimave të dhunës seksuale, duke garantuar ofrimin e një pakete të plotë të shërbimeve me në qendër viktimën si dhe të ndjeshme ndaj moshës dhe gjinisë.

Po ashtu, të sigurojë një tërësi procedurash standarde të veprimeve të ndjeshme ndaj moshës dhe gjinisë.

“Veprime këto që duhet të ndërmerren për të siguruar këtë përgjigje të plotë ndaj të rriturave/rriturve apo të miturave/miturve të dhunuar seksualisht në familje apo jashtë saj”.

“Të forcojë dhe qartësojë rolet dhe përgjegjësitë ndërmjet ofruesve të shërbimeve dhe tërësisë së institucioneve dhe Mekanizmave të Koordinuar të Referimit, duke rritur kështu llogaridhënien dhe besueshmërinë ndaj tyre”, thuhet në njoftimin e MD-së.

Ndër të tjera, përmes miratimit të këtij protokolli, secili institucion në nivel vendor mund të pranoj të përdorë këtë informacion për të forcuar praktikat, politikat dhe procedurat e tyre.

“Pajtueshmëria me këtë protokoll mund të kërkojë ndryshime dhe secili institucion përgjegjës bie dakord të investojë kohën dhe burimet e duhura për të siguruar ndryshimin”.

“Memory”, në muajin dhjetor kishte realizuar një dokumentar për dhunën seksuale në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore