Lajme

Kosnett: “Kosova u ka dhënë mundësi afganëve të ndërtojnë jetë të reja”


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se Kosova po u jep mundësi afganëve në krijimin e jetëve të reja.

Në pritje të 111 afganëve të parë, në aeroportin ndërkombëtar të Prishinës kishte dalur edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.

“I nderuar që i shoqërova liderët kosovarë dhe ambasadorët e shteteve QUINT-it për ta mirëpritur grupin e parë të afganëve që janë evakuuar në Prishtinë”.

Në llogarinë e Ambasadës Amerikane në Kosovë, në emër të ambasadorit, ndër të tjera thuhet se, me këtë gjest, shteti i Kosovës nuk është duke shpëtuar jetë, por u ka krijuar mundësi refugjatëve të ndërtojnë jetë të reja.

“Afganët shtëpinë e përhershme do ta kenë diku tjetër, por përkohësisht do të qëndrojnë në Prishtinë. Kosova nuk është duke shpëtuar jetë, ajo është duke u dhënë atyre mundësi për të ndërtuar jetë të reja”, përfundon shkrimi i Kosnett në Facebook.

Mirënjohje për mikpritjen kosovare, ka shprehur edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abott.

Në llogarinë e tij në Facebok, Abot ka shprehur mirënjohje ndaj vendimit të shtetit të Kosovës për pranimin e përkohshëm të afganëve.

“Ndihem i nderuar që isha në aeroportin e Prishtinës këtë mbrëmje, pas takimit me të evakuuarit e parë nga Afganistani që po mbërrijnë në Kosovë”.

“Mirënjohës për mikpritjen kosovare”, ka shkruar Abbott.

Aeroplani i parë me 111 afganët e parë ka arritur në Kosovë të dielën në ora 20:15.

Ata u pritën nga krerët e institucioneve të Kosovës dhe ambasadorët e shteteve të QUINT-it.

Ministri i punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se aeroplanët e tjerë mund të vinë nga dita e hënë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore